Rama: I shkojmë deri në fund Lazaratit

20/06/2014 00:00

“Përgëzime dhe mirënjohje gjithë trupave të Policisë së Shtetit”. Në deklarimin e parë nga selia e qeverisë, në përmbyllje të fazës së parë të aksionit në Lazarat, kryeministri Edi Rama ia ka atribuar suksesin Policisë së Shtetit, për atë që cilësoi si aksionin më të rrezikshëm të këtyre viteve.

Policia rrëzoi tabunë 20-vjeçare të fshatit të paprekshëm, duke i kthyer, edhe në sytë e botës, dinjitetin Shqipërisë, tha kreu i qeverisë, që përsëriti bindjen se Lazarati ishte pjella e krimit, që bashkëpunonte me politikën dhe pushtetin e djeshëm.

“Ajo republikë e turpit politik dhe shtetëror nuk ekziston më”, u shpreh Rama. Operacioni i realizuar pa shkaktuar asnjë viktimë, tha Rama, është treguesi i qartë i rilindjes së Policisë së Shtetit.

“Edhe nëse batërdia e këtyre ditëve do të kishte shkaktuar viktima, prapë së prap, profesionalizmi në hartimin, drejtimin dhe realizimin e operacionit, nuk do të mund të vihej në diskutim me këtë rezultat spektakolar, që fatkeqësisht nuk mund ta shohin vetëm ata që nuk duan ta shohin, dhe nuk kanë faj sepse kanë arsye për të mbyllur sytë e për të mos parë atë që sot u duket, fatkeqësisht, si një gjëmë e madhe. Policia ishte e përgatitur për të mos u kthyer nga Lazarati pa fitoren e shtetit mbi krimin, cilido të ishte çmimi që duhej paguar, për t’i dhënë fund atij turpi me kosto të pallogaritshme, për një vend dhe një popull të tërë, për vite me radhë”, deklaroi Rama.

Duke theksuar se ky është vetëm fillimi, kreu i qeverisë, nga foltorja e Kryeministrisë, ka shuar çdo zë kritik, kur theksoi se operacioni ishte edhe konfirmim se Saimir Tahiri është ministri i Brendshëm, që i ka munguar këtij vendi. “Mirënjohje, falënderim dhe vlerësim superlativ, sot, për ministrin e Brendshëm”, shtoi Rama.

Por, ai s’ndau të njëjtin vlerësim për Gjyqësorin, kur e cilësoi si diktatura e korrupsionit. Edhe njëherë ai apeloi ndaj Prokurorit të Përgjithshëm për të bashkëpunuar në fazën e dytë të operacionit të Lazaratit.

“Me një thirrje të fortë dhe të qartë, për Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës, që të angazhojë veten e tij dhe gjithë forcat e shëndetshme rreth tij, për t’i shkuar deri në fund fazës së dytë të këtij operacioni, që është zbardhja dhe ndëshkimi për çdo provë të zbardhur, i gjithë kësaj veprimtarie shumëvjeçare kriminale, deri në sekuestrimin e qindarkës së fundit, të gjithë pasurive dhe parave të zeza, që janë akumuluar në kurriz të njerëzve të thjeshtë të kthyer në skllevër, dhe në kurriz të një Shqipërie të tërë, nga këta kriminelë që duhet të marrin atë që meritojnë”, përfundoi Rama.

Top Channel