
Partia Demokratike, në tre deklarata të ndryshme të mbajtura paraditen e së premtes, ka hedhur një seri akuzash ndaj kryeministrit Rama dhe mazhorancës qeverisëse.
E para që ka dalë para mediave ka qenë zëdhënësja Laura Vorpsi, e cila ka akuzuar sërish qeverisjen e majtë për emërimin e njerëzve të inkriminuar në administratë.
“Në Krujë sot ai ka seancën e radhës ku gjykohet për vjedhje. Në Tiranë, me Edi Ramën është bërë përgjegjës i verifikimit në terren, për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kryeministri i ka dërguar kështu një sinjal të qartë gjykatës së Krujës, duke i kërkuar që ta shpallë të pafajshëm të pandehurin Klodian Durmishi. Duke i besuar verifikimin në terren për Tiranën, Edi Rama i ka bërë dukshëm presion Gjykatës së Krujës duke i treguar vendimin që duhet të marrë. Ky është morali qeveritar i Edi Ramës. Ky është modeli i Edi Ramës për administratën”, ka deklaruar Vorpsi.
Halimi: Rama përdor policinë si bandë personale
Zëdhënësja ia ka lënë stafetën deputetit Eduard Halimi, i cili në fjalën e tij ka bërë një akuzë të ngjashme, duke thënë se kryeministrin mbron njerëzit e tij duke ushtruar presion ndaj gjykatave dhe arreston të tjerët duke përdorur si bandë personale policinë.
“Partia Demokratike dënon me forcë zbatimin e dy standarteve nga kryeministri Edi Rama, në të njëjtën ditë, për të njëjtën akuzë të Prokurorisë, për vendime gjyësore të njëjta të dala nga e njëjta gjykatë.
Nga njëra anë, policia e shtetit ndalon shefin e inspektoriatit ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, dhe nga ana tjetër, Edi Rama urdhëron mbrojtje politike për Zyhdi Dajtin, shefin e tij të Inspektoriatit Ndërtimor Kombëtar, duke penguar zbatimin e vendimit të gjykatës.
Organi i akuzës ka nxjerrë dje dy urdhëra ndalimi, gjykata ka miratuar urdhërat për të dy zyrtarët. Por zyrtari i Bashkisë, arrestohet në vend, në mes të natës nga policia, ndërsa zyrtari i qeverisë, sejmeni i Ramës është i privilegjuar dhe bën plazh në Vlorë.
Këtu ka përfunduar Policia e Shtetit, në një bandë private që nuk udhëhiqet nga ligji, por nga urdhërat politikë të Edi Ramës”, ka thënë Halimi.
Paloka: Meta, një kryetar hipokrit parlamenti
Deklarata e radhës ka qenë nga kryetari i grupit parlamentar Edi Paloka, i cili ka kritikuar kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, për sjellje hipokrite lidhur me vendimin e djeshëm për përjashtimin e deputetit Sali Berisha nga Parlamenti.
“Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vuri dhe sot maskën e tij të hipokritit, duke u tallur me një çështje shumë të mprehtë të parlamentarizmit në vend, siç është përjashtimi i Sali Berishës.
Në parlamentin që drejtohet nga Ilir Meta, Kryeministri i vendit ka kërcënuar publikisht opozitën. Në parlamentin që drejtohet nga Ilir Meta, Edi Rama ka përdorur fjalë që skuqin dhe horrat më të paturpshëm.
Në parlamentin e Ilir Metës, Kryeministri vizaton nga pas zonjat deputete. Dhe çfarë bën Ilir Meta, qesh dhe lëshon batuta. Kjo hipokrizi, është një maskë që mund ti shkojë Ilir Metës, por jo Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, duke e bërë këtë institucion qesharak dhe të papërgjegjshëm”, ka thënë Paloka.
Top Channel