Basha: PD, në themel vota e lirë

20/06/2014 00:00

Në Konferencën zgjedhore të Librazhdit, Lulzim Basha u foli demokratëve për rëndësinë që vota e lirë dhe zgjedhja direkte, pa seleksionim nga qendra, qëndron në themel të ringritjes së Partisë Demokratike. Sipas kreut të demokratëve, zgjedhje direkte nuk do të thotë vetëm demokraci, por edhe të marrësh përgjegjësi.

“Gjatë 23 vjetëve të jetës së saj, Partia Demokratike ka aplikuar gara me shumë kandidatë të zgjedhur nga baza dhe gara me kandidatë të seleksionuar në qendër. Unë besoj se vota e lirë gabon më pak se subjektiviteti i një njeriu. Unë besoj se demokratët e Librazhdit dhe demokratët anembanë duhet të marrin dhe meritojnë të marrin përgjegjësitë. Pushteti dhe autoriteti që buron nga vota e lirë përbën kuotën më të lartë të energjisë së frymëzimit dhe përgjegjësisë së gjithësecilit, të atij që e kërkon, të atij që e jep dhe të atij që e merr votën. Vetëm me votë të lirë, PD do të mund të forcojë themelet mbi të cilat është ngritur që në ditët e dhjetorit të ‘90”, deklaroi Basha.

Zoti Basha theksoi rëndësinë e zgjedhjes direkte, pa seleksionim nga qendra, si për t’u dhënë përgjigje zërave se ndaj disa kandidatëve po ushtrohet presion për t’u tërhequr nga gara. Kreu i opozitës beson se si alternativë e lirisë dhe e zhvillimit, Partia Demokratike do t’i konsolidojë këto vlera duke zgjedhur drejtuesit më të mirë.

“Themeluesit e PD-së në vitet 90 krijuan një parti me ëndrra të mëdha. Sot pas 23 viteve jemi një parti me histori të madhe, por jemi dhe mbetemi prap një parti më endrra më të mëdha. Janë këto ëndrra të reja por jo më të pakta se ato të dhjetorit ‘90 që ndriçojnë dhe duhet të ndriçojnë rrugën tonë të rrënjosur në alternativën tonë dhe duke garantuar përmes njerëzve tanë më të mirë fitoren në përballjen e ardhshme politike”, u shpreh Basha.

Top Channel