
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Alexander Arvizu, në një prononcim për Top-Channel në emër të qeverisë amerikane, vlerëson operacionin e Policisë së Shtetit në Lazarat.
“Siç e vërejtët, Lazarati ka qenë një problem i ngatërruar për një numër vitesh për shqiptarët. Sinqerisht, ka qenë një pikë e mahisur, diçka për të cilën edhe shumë njerëz në bashkësinë ndërkombëtare kanë dijeni.
Ne e mbështesim fort vendimin, aksionin e ndërmarrë nga oficerët ligjzbatues këtë javë. Unë dhe të tjerë anëtarë të personelit të ambasadës kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrin Tahiri, Drejtorin e Përgjithshëm Didi, dhe të tjerë në Policinë e Shtetit.
Ky është një operacion tërësisht shqiptar, por kanë qenë në kontakt të ngushtë me ne. E vlerësojmë shumë faktin që policia duket se ka ushtruar kujdes të posaçëm për të shmangur viktima, lëndime, për t’iu përmbajtur standardeve si kushdo tjetër. Fola me Ministrin Tahiri mbrëmë.
Më tha se operacioni është drejt mbylljes. Është e qartë që vazhdojnë të punojnë lidhur me mënyrën për të mbajtur një prani të policisë atje, pra për të mos lejuar që njerëzit të kthehen dhe t’ia nisin prapë”, deklaroi Arvizu.
Ambasadori Arvizu në vijim të prononcimit e vuri theksin rreth asaj që duhet të ndodhë në ditët në vijim.
“Nga ky çast e tutje, për Shtetet e Bashkuara do të jetë kyç mbajtja e Lazaratit të lirë nga kjo lloj veprimtarie kriminale. Do të jetë me rëndësi të ketë arrestime, ndjekje penale dhe me shpresë dënime, bazuar natyrshëm mbi prova të forta dhe çuarja në gjykatë e çështjeve të mirëargumentuara.
Megjithatë, vetëm kur njerëzit të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre atëherë do të mund të themi vërtet se aksioni ka qenë i suksesshëm. Pika e fundit që do të përmendja është që, me sa kuptoj, shumë prej banorëve të Lazaratit nuk janë fajtorë për krime; thjesht kanë qëlluar të jetojnë aty.
Me ecjen përpara të këtyre hetimeve, është me rëndësi që të veçohen njerëzit e përfshirë në veprimtari kriminale nga ata që thjesht kanë qëlluar të jenë barnorë të Lazaratit”, tha ai.
Arvizu: Meta veproi drejt
“Seanca plenare për të ardhur keq, shqiptarët meritojnë tjetër debat”
I pyetur për nivelin e diskutimeve në Kuvend, ambasadori amerikan vuri në dukje se “duhet të përmirësohet” dhe se “populli shqiptar meriton diskutim më të sinqertë lidhur me çështjet që e shqetësojnë”.
“Shpresoj që të enjtet do të mund të shndërrohen në diçka disi më konstruktive. Për sa i përket asaj që ndodhi dje, ishte diçka vërtet për të ardhur keq. Ishte e panevojshme, e pajustifikueshme, sinqerisht, ishte e padenjë. Veprimet që ndërmori Kryetari i Kuvendit Meta ishin absolutisht të sakta”, u shpreh Arvizu.
Top Channel