
Kryeministri Edi Rama, në kohë reale bëri një përshëndetje në seancën parlamentare, sapo në Holandë u mor vendimi që Parlamenti të votojë pro për statusin e vendit kanidat për Shqipërinë.
“Besoj se është një moment i rëndësishëm e i veçantë, që kërkon një duartrokitje të veçantë, sepse Holanda ka njoftuar se do të votojë pro statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, deklaroi Rama.
Vendi, që në dhjetor u shfaq më rezistenti ndaj një vendimi pozitiv, e konfirmoi këtë përmes ministri i Jashtëm, Frans Timmermans. Duke bërë një pohim pak të artikuluar nga diplomatët europianë, se “statusi i vendit kandidat është një shpikje, diçka e re që sajuam kur nuk dinim çfarë të bënim me Maqedoninë”, ministri holandez gjatë raportimit në komisionin për çështjet europiane deklaroi se, bazuar në meritën objektive, Shqipëria duhet ta marrë statusin e vendit kandidat.
“Shqipëria ka ende probleme me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të nënvizuara nga Transparency International”, deklaroi Timmermans përpara deputetëve. Por ai tha se nga dhjetori, qeveria ka bërë hapa që meritojnë të vlerësohen me votën pro statusit.
“Kryeministri Rama ishte në Hagë për vizitë dhe ka komplimentet e mia më të larta për punën që ka bërë deri tani. Ka bërë hapa të rëndësishëm dhe jashtëzakonisht të vështira për të mbajtur premtimet”, deklaroi Timmermans.
Shefi i diplomacisë holandeze iu përgjigj më tej pyetjeve për Shqipërinë, njëra prej të cilave ishte:
A ka progres në Shqipëri që nga dhjetori?
“PO dhe ka shifra që e tregojnë”.
Si është situata në BE?
“Komisioni dhe gjithë vendet anëtare janë pro statusit. Jo se unë do trembesha po të isha i vetëm, por edhe unë jam i bindur se Shqipëria e meriton statusin. Besoj se të martën vota pro statusit do jetë unanime”.
Cila është trajektorja drejt negociatave?
“Shumë e gjatë dhe këtë e kanë të qartë të gjitha palët. BE është një organizatë e aftë për të mësuar dhe ka mësuar mjaftueshëm nga historia e vetë me zgjerimin”.
Sa do t’i kushtojë BE-së statusi kandidat për Shqipërinë?
“Asgjë. Fondet IPA mbeten në nivelin aktual. Statusi është vetëm sinjal politik, pa pasoja materiale. Bazuar në vlerësim objektiv, Shqipëria e meriton statusin!”.
Seanca për Shqipërinë është mbyllur me pyetjen nëse e ndihmon Shqipërinë statusi i vendit kandidat. Në këtë rast ministri holandez citoi kreun e qeverisë sonë gjatë vizitës së tij në Holandë dhe zotimin e Ramës se qeveria e tij është e vendosur të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, të rrisë të ardhurat për qytetarët shqiptarë dhe t’u japë atyre një alternativë.
“Alternativa është BE”, mësohet të ketë përfunduar citimin e kryeministrit Rama Timmermans. Ai e ka mbyllur deklaratën pro marrjes së statusit për Shqipërinë me nënvizimin se, “në Shqipëri ka një antagonizëm të theksuar politik, por sa i takon statusit, të gjithë janë dakord”.
Top Channel