
Konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ministri i Jashtëm i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier e ka nisur duke vlerësuar se, marrëdhëniet mes dy vendeve tona, me gjasë nuk kanë qenë asnjëherë kaq intensive sa këto muajt e fundit.
“Ne dëshirojmë të tregojmë shprehimisht respektin tonë për punën, që qeveria aktuale shqiptare është duke bërë në vendin e saj, një punë që kërkon investim, lodhje, dhe – sikurse e dimë edhe nga përvoja jonë në Gjermani – një punë reformuese, që kërkon ndër të tjera edhe shumë kurajo. Natyrisht, ne përshëndesim faktin, zoti Kryeministër, që vendi juaj me këtë qeveri kërkon në mënyrë të vazhdueshme dhe të qartë përafrimin me Europën”, tha Frank-Walter Steinmeier.
Ministri i Jashtëm gjerman ka konfirmuar votën pro të vendit të tij, për statusin e Shqipërisë.
“Zoti Rama, ju e dini që unë nuk mund t’iua them këtë vendim, përpara atij takimi. Ai do të merret të hënën mes ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, por më lejoni t’iu siguroj, që ne do të japim mbështetjen tonë për këtë vendim. Ai duhet të merret në mënyrë unanime, për t’u vendosur përfundimisht më pas, në fund të muajit, në Këshillin Europian. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Europën në tërësi dhe, me siguri zoti Rama, edhe një nxitje e mëtejshme për të vijuar më tej punën tuaj”, tha Frank-Walter Steinmeier.
Nga Berlini, kryeministri Edi Rama ishte i drejtpërdrejtë në mesazhin e tij ndaj vendeve europiane, kur tha se ne do të dëshmojmë se nuk duam as lëmoshë, nuk duam as që të hyjmë në Bashkimin Europian, përpara se ta meritojmë plotësisht.
“Ne shpresojmë shumë, që vendimi të jetë pozitiv dhe që të gjithë vendet do të shkojnë drejt këtij vendimi, bazuar mbi raportin e Komisionit Europian dhe mbi rezultatet e qarta dhe shumë të prekshme të qeverisë sonë, në adresimin e prioriteteve të përcaktuara nga BE, dhe jo mbi bazën e konsideratave që lidhen me politikën e brendshme të vendeve anëtare. Në këtë aspekt, ne e çmojmë shumë lart, qoftë qëndrimin, qoftë edhe përpjekjen e Gjermanisë, për ta mbështetur Shqipërinë”, tha Rama.
Media interesohet për Lazaratin
Rama: Lufta kundër drogës dhe mafias nuk filloi të hënën, tani po kulmon
Gazetarët gjermanë i drejtuan edhe një pyetje shefit të qeverisë shqiptare, mbi operacionin e policisë së shtetit në Lazarat.
“Beteja jonë me trafikun e drogës, ashtu si edhe me trafiqet në tërësi, si edhe me mafien e drogës, nuk ka filluar ditën e hënë, por ka filluar qysh ditën e parë, që ne jemi ulur në tryezën e qeverisë, me një mandat shumë të qartë, që t’i japim fund uzurpimit të ëndrrës sonë dhe të ëndrrës së popullit tonë, për t’u bërë pjesë e familjes europiane, nga trafikantë, nga kriminelë, apo edhe nga politikanë dhe zyrtarë të korruptuar. Ky aksion është, në fakt, një moment kulminant i kësaj beteje, që – siç e ka theksuar edhe progres-raporti, ka shënuar përparime të jashtëzakonshme në rezultate”, tha kryeministri Rama.
Ne jemi hedhur në këtë aksion, theksoi Rama, dhe do të ndalojmë vetëm kur kjo zonë të fshihet përfundimisht nga harta europiane dhe botërore e kultivimit dhe trafikimit të drogës.
Top Channel