Basha: Po rikthejmë besimin e popullit

19/06/2014 00:00

Konferencën zgjedhore të Peqinit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka përdorur si një mundësi për të falënderuar dhe shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë demokratëve që, me përkushtim dhe integritet, po u kthejnë besimin qytetarëve te forca më e madhe e opozitës.

Duke ftuar demokratët të bëhen pjesë e garës për postet drejtuese në parti, zoti Basha shprehu bindjen se ringritja e Partisë Demokratike ka në themel kontributin e anëtarësisë së saj, që prej themelimit.

“Gjej rastin të falënderoj në emrin tim, të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të Shqipërisë, nga Veriu në Jug, nga më i vjetri me teserën e Dhjetorit  të vitit 1990, te më i riu me teserën e Majit të vitit 2014, që morën pjesë dhe dhanë kontributin e tyre të çmuar në këtë fushatë vendimtare për ringritjen dhe të ardhmen e partisë sonë, si alternativa kryesore e së djathtës dhe qendrës në Shqipëri. Në bursën e besimit popullor, Partia Demokratike, në këtë proces zgjedhjës, kuotohet sot si parti fitimtare. Tregon besimin e rinisë, e cila beson te ne, beson se me ne do të këtë një të ardhme më të mirë, që po vjen te ne, sepse beson që me ne do ta thotë fjalën e saj, po vjen te ne, sepse beson se i ka rrugët e hapura për të dhënë kontribute dhe për të marrë përgjegjësi”, u shpreh Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike tha se shqiptarët ndjehen të zhgënjyer dhe të tradhëtuar nga qeverisja, për shkak se, sipas tij, vendi po drejtohet nga të paaftë, të papërkushtuar, përfshirë edhe personat me rekorde kriminale.

Sipas zotit Basha, detyra e opozitës është zgjedhja e njerëzve më të mirë në postet drejtuese, në mënyrë që qytetarëve t’u jepet alternativa e duhur.

“E keqja më e madhe është kur të drejton kërkushi, i padituri, i paafti, i pavirtytshmi, i papërkushtuari, i pasinqerti. Ndaj ne, Partia Demokratike, kemi një mision qytetar politik e kombëtar: T’i dalim përballë dhe t’i përgjigjemi me vendosmëri, me njerëzit me të zotë që ka nxjerrë familja, komuniteti, shkolla, apo përvoja e gjerë e jetës, projektit ogurzi të kundërshtarit tonë, të provomimit të individëve me rekorde kriminale në politikë, në administratë, në drejtim, duke poshtëruar qytetarët, duke rrezikuar projektin demokratik, të ardhmen demokratike të vendit”, përfundoi Basha.

Top Channel