
Nga Berlini kryeministri Edi Rama edhe njëherë tjetër ka theksuar se Shqipëria tashmë i ka përmushur detyrat e shtëpisë, vendosur nga Europa për ta marrë statusin e vendit kandidat.
“Ne e kemi kaluar testin edhe pse unë besoj se Shqipëria e meritonte statusin e vendit kandidat që në dhjetor dhe se mosmarrja e statusit kandidat nuk i solli ndonjë gjë të mirë as Shqipërisë, as rajonit dhe as Evropës apo procesit të përgjithshëm të përparimit europian”, deklaroi Rama.
Duke folur në Fondacionin “Friedrich Ebert”, Rama e cilësoi statusin si një “pilulë antidepresive” për shoqëritë që aspirojnë t’i bashkohen familjes europiane.
“Statusi i vendit kandidat është diçka krejtësisht ndryshe nga anëtarësimi në BE, por është gjithashtu diçka që nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me negociatat. Statusi i kandidatit është një lloj pilule antidepresive për shoqëritë që kanë nevojë të kenë shpresë, ndërkohë që nuk janë plotësisht të gatshme të bëhen pjesë e BE dhe madje, as të hapin negociatat”, tha Rama.
Për Ballkanin, u shpreh ai, e ardhmja e europiane është domosdoshmëri. “Kështu, të mos e japësh statusin, sipas këndvështrimit tim është plotësisht e paarsyeshme. Ta japësh statusin është jo vetëm e arsyeshme, por do të thotë të japësh praktikisht pothuajse asgjë dhe të përfitosh shumë më tepër. Përfiton ndërtimin e shpresës dhe besimit të njerëzve në të ardhmen, në një zonë shumë të vështirë, për shkak të problemeve ekonomike, të papunësisë së lartë, problemeve sociale dhe e fundit, por jo më e parëndësishme, mjafton të shihni një panoramë të asaj që po kalon Ballkani sot”, tha më tej Rama.
Në të njëjtën kohë, sugjeroi Rama, ne duhet të gjejmë mënyrën për të mos e lidhur vëmendjen dhe bashkëpunimin e Bashkimit Europian me Ballkanin me marrëdhënien midis Unionit dhe çdo vendi. “Rruga individuale e çdo vendi është një gjë dhe bashkëpunimi rajonal një gjë tjetër”, nënvizoi kryeministri.
PD: Rama të tregojë të vërtetat në Gjermani
“Socialistët po qeverisin me persona të inkriminuar”
Referuar vizitës së kryeministrit Rama në Gjermani, opozita kërkon që ai të informojë partnerët gjermanë se me kë po qeveris në Shqipëri.
Përmes një deklarate, zyra e shtypit e kësaj partie risjell në vëmendje drejtuesit që sipas saj janë të inkriminuar apo dënuar me vendim gjykate për krime të ndryshme.
“Herën e fundit që Rama ishte në Gjermani, kancelarja Merkel i kujtoi atij rëndësinë e sundimit të ligjit dhe sistemit juridik. Çdo të thotë këtë herë ai në Berlin?
Që në krye të qarkut të Vlorës ka emëruar një person të dënuar për pengmarrje në Itali? Që në një qark tjetër ka vendosur një të dënuar me 16 vite burg në Greqi për trafik droge?
Po për sistemin juridik, a do t’u thotë gjermanëve se nuk zbaton vendimet e gjykatave? Ai preferon të thotë këtë: të gjitha të tjerat janë thjesht gjepura”, deklaroi zëdhënësja Laura Vorpsi.
Top Channel