Fitorja, e domosdoshme për Spanjën

18/06/2014 00:00

Pasi është shkatërruar nga nënkampionët e botës të vitit 2010 në ndeshjen e parë, Spanja sot e ka të domosdshme fitore përballë Kilit nëse ka ndërmend të vazhdojë të synojë kualifikimin.

Shifra e lartë e golave (5) që pësuan në atë ndeshje ja bën të panevojshëm edhe barazimin, thjesht i duhet fitorja. Reparti i mbrojtjes së Spanjës la shumë për të dëshiruar, kështu që trajneri Del Boske e sheh të domosdoshme që të kryhen ndryshime, ndoshta duke përfshirë edhe Gerard Pike.

Sulmuesit Diego Kosta dhe David Silva nuk arritën të përfundonin aksionet e tyre, për këtë arsye edhe ata janë në dyshim sa i përket formacionit të parë.

Një tjetër pikë e ndryshueshme mund të jetë Iker Kasijas.

Nga ana tjetër, Kili vjen në këtë ndeshje pas fitores 3-1 përballë Australisë në ndeshjen e parë.

Ndeshja tjetër e rëndësishme e mbrëmjes së sotme është ajo mes Holandës dhe Australisë. “Tulipanët” e kanë filluar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë Kampionat Botëror duke u hakmarrë 5-1 përballë Spanjës.

Arjen Roben, Shnajder apo Van Persi duken se janë vërtetë shumë për një skuadër modeste si ajo e Australisë e cila që në ndeshjen e parë pësoi 3 gola nga Kili. Gjithsesi, po t’i referohemi rekordeve shohim se Holanda nuk ka fituar asnjëhjerë përballë Australisë në tre përballjet e mëparëshme: një fitore e australianëve dhe dy barazime.  

Megjithatë, një humbje e tyre në këtë ndeshje të dytë do t’i jepte fund aventurës në këtë Botëror ashtu si edhe një kualifikim të mundshëm të Holandës për në fazën tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB