Basha: Në themel kemi votën e lirë

18/06/2014 00:00

Hasi dhe Tropoja janë ndër degët e para ku Partia Demokratike ka përmbyllur zgjedhjen e drejtuesve të saj të rinj, nje proces ku mori pjesë edhe kryetari i Lulzim Basha, i cili do të vazhdojë të jetë i pranishëm në konferencat zgjedhore të të gjitha degëve, deri në përmbylljen e procesit.

Të gjithë këtë periudhë, një vit pas humbjes së thellë të zgjedhjeve parlamentare, zoti Basha e përshkruan si periudhë ripërtëritjeje për forcën më të madhe të opozitës. Dhe një tregues i dukshëm sipas tij është afrimi dhe zgjedhja e njerëzve të rinj.

“PD ka vendosur në themel të organizimit të saj, në themel të sistemit të saj të karrierës dhe të promovimit të vlerave, një parim të shenjtë që është vota e lirë e anëtarëve të PD. Se vetëm me votë të lirë, sot e nga mot, do ta bëjmë PD-në më të madhe, më të fortë, më të bashkuar, më tërheqëse për rininë, më të sigurtë në rrugën e saj të fitores si alternativa e pushtetit të së djathtës dhe qendrës në Shqipëri”, deklaroi Basha.

Kreu i Partisë Demokratike ka shprehur para demokratëve të Tropojës bindjen se pushteti real është pushteti i votës. Duke vënë votën e anëtarësisë në themel të ripërtëritjes së Partisë Demokratike, zoti Basha beson se demokratët do te jenë në lartësinë e themeluesve dhe drejtuesve historikë të kësaj partie për të zgjedhur njerëzit që do t’i çojnë drejt fitores.

“Kjo është partia e të gjithë demokratëve. Të gjithë jemi aksionerë të barabartë në këtë parti. Askush nuk ka tagër t’u thotë demokratëve se për kë të votojnë. Askush nuk ka tagër t’u mbajë dorën apo gojën demokratëve, askush nuk ka tagër t’u bëjë suflerin apo t’u mbyllë opsionet. Kjo parti ka lindur e lirë, me vullnetin e lirë të Azem Hajdarit, Sali Berishës dhe themeluesve të tjerë, me vullnetin e Zotit dhe me vendosmërinë time e tuajën do të mbetet parti e njerëzve të lirë”, shtoi Basha.

Top Channel