Skuadrat e mëdha të fshatrave të vegjël!

17/06/2014 00:00

Patën vetëm 7 vite jetë si skuadër, por u bënë kampionë të dimrit, në kategorinë e dytë, në vitin 2006. Djemtë e futbollit e kthyen vëmendjen e sportdashësve nga Cakrani!

“Ndonjëherë më duket e pabesueshme, që ne arritëm në ato nivele. Duke filluar nga hiçi, me terrene sportive të nivelit të dobët, duke ditur që nuk ekzistonin as ekipe moshash dhe as të rriturish, u bëmë protagonistë të kampionatit në kategorinë e dytë, por u bëmë nga ato ekipe që arritën të thyenin edhe ndër ekipet më me emër në Shqipëri”, tha Kujtim Sherifi, ish-president i Cakranit.

Por, kjo aventurë përfundoi shpejt. Në vitin 2007, skuadra pushoi së ekzistuari, por jo ëndrra e lojtarëve, të cilët u evidentuan e tani ia kanë dalë të luajnë edhe në Superiore.

“Të 22 djemtë që kishte ekipi i Cakranit përpara se të shkrihej, vazhdojnë edhe luajnë edhe sot. Po e nis nga portieri që ka Kukësi, Gent Halili, i cili në Cakran luajti 4 vjet dhe vazhdon të jetë ndër portierët më të mirë në Shqipëri. Dimo i Skënderbeut, ndër më popullorët dhe më të dashurit këtu në Cakran. Kalemi i Cakranit dhe po kështu edhe shumë të tjerë, që luajnë me Orikumin, me Albpetrolin e Patosit dhe ekipe të tjera të Kategorisë së Parë”.

Ernest Avdulaj, apo “Nesta” si e thërrasin të gjithë në Cakran, është ndër ata futbollistë, të cilët kanë vendosur të mos largohet prej vendit, që i dhuroi një ndër aventurat më të bukura të jetës: të luante me idhujt e tij.

“Ndeshja me Tiranën ka qenë më e veçanta. Kemi fituar 1-0 për Kupë, një ndeshje zyrtare, ndryshe nga herët e tjera kur Tirana dhe Partizani kanë ardhur të luajnë për ndeshje miqësore. Ka qenë një ndeshje e bukur, e madhe, ku ka pasur lojtarë që nuk besoja se do t’i kisha takuar ndonjëherë”, thotë Nesti.

Ndeshjet në Cakran ishin ngjarja më e rëndësishme në jetën e fshatit…

“Ishte një aktivitet, që i sillte Cakranit shumë gjallëri. Njerëzve u dukej në sy kënaqësia që u dhuronte futbolli”.

Aktualisht Nesti, përveç se është mësues histori-gjeografie, prej 2 vjetësh, vullnetarisht dhe me këmbënguljen e fëmijëve e prindërve të Cakranit, përgatit ekipin U-15. Ai kishte moshën e këtyre fëmijëve kur nisi të luante, dhe është periudha për të cilën ruan shumë kujtime.

“Në moshën 18-vjeçare, që ishim gjimnazistë, edhe mësuesit na mbanin me hatër, por edhe me vajzat na ecte më shumë”.

Të rinjtë e kanë marrë shumë seriozisht, për të risjellë edhe një herë të njëjtën gjallëri, që solli ekipi i parë dhe më i rëndësishëm i Cakranit.

Top Channel