Një himn për mediokritetin kolektiv

16/06/2014 00:00

Ilir Yzeiri – Jeta që jetojmë ka tri përmasa, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja.

Ne, siç thonë filozofët e komunikimit, jetojmë vetëm një përmasë, por kur veprojmë kemi dy mundësi, ose të veprojmë me stereotipitë e së shkuarës ose me ato të së ardhmes. E tashmja nuk është gjë tjetër vetëm se vendi ku përplasen këto dy përmasa në vetëdijen tonë dhe ne, për të zgjedhur drejtimin nga do të shkojë jeta jonë apo mendimi ynë, kryejmë një proces të vështirë për të gjetur atë përmasës që do ta motivojë sjelljen apo veprimin tonë. Këto ditë, veç të tjerash, po lexoj një libër të mrekullueshëm, një bestseller botëror. E kam fjalën për fituesin e Nobelit, Daniel Kahneman, dhe librin e tij “Të menduarit shpejt dhe të menduarit ngadalë”. Kënaqësia që të jep një libër i tillë është e shumëfishtë, por ajo rritet kur ti e lexon në shqip, sepse në gjuhën tonë ai libër është përkthyer në mënyrë mjeshtërore nga shkrimtari ynë i njohur Bashkim Shehu. Ndaj sapo ti nis e lexon këtë libër, zhytesh në një refleksion të thellë dhe sapo mbyll fletën e librit me dëshirën që të rikthehesh përsëri aty, nis e sheh përreth dhe të vjen keq për vendin tënd që po zhytet përditë e më shumë në llavën e ngrohtë e gjithë baltë të mediokritetit kolektiv. Pse? Ka disa tregues që shënjojnë këtë mediokritet tragjik ku po zhytet përditë e më shumë shoqëria jonë, por ajo që po ndodh me mediat dhe me ligjërimin mediatik është shenja e parë. Nëse do të ngjitemi më tej, do të vërejmë se ajo që ndodh me arsimin parauniversitar është gjithashtu një shkak tjetër përse ne jemi zhytur në batakun e mediokritetit kolektiv. Po le t’i qartësojmë pak më mirë gjërat. Dihet nga të gjithë se jeta ose historia që ne lëmë pas jetohet dhe tregohet. Pra njerëzit nuk bëjnë gjë tjetër veçse kryejnë dy procese: nga njëra anë e jetojnë jetën, pra krijojnë histori dhe nga ana tjetër e rrëfejnë atë. Midis jetës që jetojmë dhe historisë që rrëfejmë ndodhen institucione të shumta të mendimit që e interpretojnë historinë sipas hermeneutikës përkatëse. Këtu nuk është rasti për të bërë një histori të gjerë të këtij argumenti, sepse kjo do të kërkonte kohë dhe vend, por mund të them shkurt se dallimi mes të menduarit perëndimor dhe atij lindor apo postkomunist shqiptar është se ne nuk dimë ta tregojmë historinë. Ashtu si ne edhe grekët apo serbët të shkuarën nuk e shohim si kronikë, por si një fiktion që e ndërtojnë me mjetet e mitologjive përkatëse. Kam pasur rast që të kem në dorë dy tekste historie të shkollave të mesme për të njëjtën periudhë, përkatësisht për Revolucionin Francez të vitit 1789. Pra një tekst shqiptar dhe një tekst francez. Revolucioni Francez është ngjarja e rëndësishme për kombin francez. Ai identifikohet aty. Ndërsa për ne është një ngjarje që gjithsesi qëndron jashtë kohës sonë historike. Në tekstin francez, kjo ngjarje jepet me vetëm katër faqe. Teksti ynë ka 32 faqe. Po pse? Sepse francezët e rrëfejnë të shkuarën e tyre me saktësi, e rrëfejnë si një kronikë gazetareske, sepse sipas të menduarit të tyre, gjykimet, komentet, vlerësimet, rëndësinë apo kufizimet e gjithfarë manipulimesh të tjera, do të duhet t’i bëjë vetë nxënësi. Ndërsa te ne, për të menduarin tonë oriental, të prapambetur e të shpartalluar nga materializmi vulgar, nuk ka rëndësi ngjarja, por ideja që ne kemi nxjerrë nga ajo ngjarje. Kështu, ne shpallemi pa e kuptuar edhe vetë tellallë të disa ideve që edhe vetë nuk i besojmë më. Rrëfimi i historisë për ne, rrëfimi i jetës apo i së shkuarës nuk përfshin rrëfimin e asaj që ka ndodhur, por komentin mbi atë që ka ndodhur. Sot ne gjendemi në një boshllëk mendor të frikshëm. Për të shpjeguar të shkuarën tonë, ne nuk kemi asnjë mjet filozofik. Gjithë njohja jonë vërtitet në konceptet e materializmit dialektik vulgar. E kam vënë re këtë sidomos në dy ngjarje. Kolegu im Andrea Stefani në dy shkrime të tij, duke analizuar Kongresin e Përmetit nga pozitat e sotme, arrinte në përfundimin se në atë Kongres u hodhën themelet e shtetit diktatorial. Kjo e vërtetë e Stefanit nuk errësonte të vërtetat e tjera, si luftën partizane apo mitologjinë antifashiste. Mirëpo, ndaj tij u vërvit menjëherë kjo duhmë e ujit të ndenjur të rrëfimit të historisë, jo si një kronikë, por si një tekst të shkruar më parë që e sheh historinë si një fiktion që nuk mund të ritregohet më, ashtu si një film që nuk mund të ribëhet. Në librin që përmenda më lart, autori përmend dy sisteme të menduari. I pari është të menduarit e shpejtë ose reagimi intuitiv i asaj që shohim dhe ai sjell një shembull të lehtë, një fotografi me një portret të nevrikosur, ndaj të cilit ne reagojmë menjëherë. Sistemi i dytë i të menduarit është ai i ngadalti, sipas Kahnemanit dhe këtu ai sjell një shembull tjetër, një shumëzim mes 17 x 24. Në të dytin, natyrisht që të menduarit është më i ngadaltë dhe ne duhet të rivlerësojmë gjithë buxhetin mendor që kemi në memorie. Libri ka dhe vëzhgime të tjera të magjishme të cilat po e përsërit se janë përkthyer me mjeshtëri nga Bashkim Shehu. Mirëpo, ti që e lexon këtë libër të duket se e ke gjetur një çelës për të shpjeguar atë që thashë qysh në fillim – llumin e mediokritetit tonë kolektiv. Ne, sidomos nëpër rrëfimet mediatike qoftë në TV, qoftë në shtypin e shkruar, përdorim vetëm sistemin 1 të të menduarit, atë të shpejtin. Ne e shohim gjithçka si një shfaqje dhe kur vjen puna që duhet t’ua tregojmë të tjerëve e rrëfejmë atë me mjetet më të lehta, me emocionet që provojmë dhe me intuitë. Po e ilustroj këtë me atë që po ndodh këto ditë të Kampionatit Botëror të Futbollit. Gjithë komentatorët tanë, në të gjitha kanalet televizive që transmetojnë, sapo nisin dhe flasin, ti duhet të ikësh me vrap se ata në delir nisin e rrëfejnë atë që shohin. Mu si ai fshatari që bie në qytet dhe mahnitet me rrugët e gjera, pallatet e larta, vajzat e zhveshura edhe komentatorët tanë, viktima të këtij mediokriteti kolektiv dhe mjeshtër të sistemit 1 të të menduarit të shpejtë nisin e të tregojnë me letrarizma të shpëlara atë që shohin. Asnjë përpjekje për të vënë në punë sistemin 2 të të menduarit, rezervuarin e ideve, të kulturës, të shpjegimit teknik të asaj që ndodh. Ti do të dëgjosh vetëm klithma si në ekstazë për një spektakël që është gjithmonë e më larg nesh. Nëse do të dëgjosh ndonjë këngë shqiptare edhe aty teksti nuk të rrëfen asnjë histori, por të tregon se rrëfimtari i saj po hakmerret me dikë, se për inat të tij do të shkojë me një tjetër ose ti do të dëgjosh se si vajza që këndon i bërtet dikujt dhe i thotë që ta harrojë se mund t’i bëjë asaj ndonjë gjë, se ajo e ka Mercedesin e kështu me radhë. Përfundimisht, ne po rrezikojmë nga dita në ditë të humbasim rezervat tona të trurit që përmbajnë filozofi, dije, psikologji apo gjithçka tjetër që e rrit buxhetin e të menduarit të ngadaltë. Ne po kthehemi të gjithë në interpretues dhe në dijetarë të gjithçkaje. Ne po e bëjmë këtë sepse jemi kampionë të mediokritetit kolektiv dhe me fytyrën e ngërdheshur dhe me sytë që na shkëlqejnë, jemi mjeshtër të të menduarit shpejt. Vetëm për ne nuk ka më enigma. Ne i dimë të gjitha dhe i shpjegojmë të gjitha, sepse jemi kampionë të mediokritetit kolektiv. Prandaj, më shumë se gjysma e publikut në këtë vend po neveritet me shqipen dhe parapëlqen të dëgjojë italisht apo anglisht, madje edhe serbisht nganjëherë, mjaft që të mos dëgjosh nga radioja apo televizioni të flitet shqip, sepse ajo shqipe mediokre që rrjedh andej të neverit.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA