Papa Françesku në Shqipëri në 21 shtator

15/06/2014 00:00

Nga Mesha a përjavshme përpara mijëra besimtarëve, mes tyre edhe shqiptarë, në Selinë e shenjtë në Vatikan, Papa Françesku bëri në mesditë njoftimin e vizitës së tij në Tiranë, e para vizitë e tij në Europë pas ardhjes në krye të Selisë së Shenjtë.

“Dua të bëj të ditur sot se pranova ftesën e peshkopëve dhe autoriteteve shqiptare për të qenë në Tiranë të dielën, në këtë 21 shtator. Me këtë udhëtim të shkurtër dua të konfirmoj besimin e Kishës dhe dëshmoj inkurajimin tim për vendin që ka vuajtur pasojat e ideologjisë së të shkuarës”, tha Papa Françesku.

Vetëm një orë më pas edhe në Katedralen Katolike në Tiranë u përcoll gjithashtu lajmi i mbërritjes së Atit të Shenjtë në Shqipëri, nga Imzot Rrok Mirdita dhe të tjerë drejtues të Kishës Katolike shqiptare, për atë që vlerësohet prej saj si ngjarje e jashtëzakonshme.

“I jemi thellësisht mirënjohës Papa Françeskut që zgjodhi të vizitojë Shqipërinë, duke ju përgjigjur dëshirës së kishës këtu, si edhe ftesës së qeverisë. Kjo është një shenjë e fortë e dashurisë së tij për popullin tonë, me të cilin ai do të ndalet për një ditë më 21 shtator. Jemi të sigurt se do të jetë një festë për të gjithë”, u shpreh Imzot Rrok Mirdita.

Shqipëria është zgjedhur nga Papa Françesku për të shënjuar udhëtimin apostolik, të parin në Europë: në shenjë nderimi për qëndresën e martirëve të panumërt klerikë gjatë persekutimit të regjimit komunist, Shqipëria, si shembulli i bashkëjetesës paqësore dhe harmonisë fetare mes komuniteteve në këtë vend, si dhe nxitja e popullit shqiptar për të përballuar me guxim, shpresë e shpirt solidariteti sfidat e së tashmes dhe së ardhmes që ndërthuren në ndërtimin e Shqipërisë së re dhe të rilindur, sqaruan drejtuesit e Kishës Katolike.

Nga vizita e Papa Gjon Palit të Dytë, në ‘93-shin, ka pasur ftesa të tjera për udhëtim të Papës në Tiranë, të paktën në gjashtë vitet e fundit- tha Nunci Apostolik në Shqipëri, kryeipeshkvi imzot Ramiro Moliner Inglés.

“Gjatë këtyre gjashtë viteve që unë jam në Shqipëri ka pasur ftesa që Papa të rivijë në Shqipëri.
Fakti që Papa Françesku ka pranuar këtë ftesë do të thotë se ka një kujdes të madh për Shqipërinë. Kur ai të vijë sigurisht do të thotë më shumë rreth kësaj”, deklaroi Nunci Apostolik në Shqipëri, kryeipeshkvi Imzot Ramiro Moliner Inglés

Top Channel