Varrezat e Tiranës, zgjidhje afatshkurtër

13/06/2014 00:00

Bashkia e Tiranës ka gjetur një mënyrë për të siguruar hapësirë të lirë në varrezat e Sharrës, të paktën edhe për dy muaj. Bunkerët e ushtrisë të vendosur brenda territorit të varrezave nuk do të jenë më, duke bërë të mundur lirimin e një hapësire rreth 2.000 metra katrorë.

“Në mungesë të vendeve të reja për të ofruar shërbimin në varrezat e Sharrës, ne kemi ndërmarrë një aksion të prishjes së 16 bunkerëve të vjetër të ushtrisë dhe sipërfaqja e përgjithshme që do fitohet nga ky aksion është rreth 2 mijë metra katrorë, që do mundësojë një funksionim normal të varrezës edhe për rreth 2 muaj”, deklaroi nënkryetari Enno Bozdo.

Bozdo ka bërë thirrje për zhbllokimin e buxhetit, pasi sipas tij, bashkia është në vështirësi dhe nuk mund të kryejë asnjë punë në shërbim të qytetarëve.

“Ju e dini që bashkia vazhdon të operojë në bllokim të buxhetit dhe përsëris se pa buxhet është e pamundur të gjejmë sipërfaqe të reja dhe të ofrojmë një shërbim dinjitoz për qytetarët. Jemi në kushte ekstreme dhe shpresoj që thirrja ime të dëgjohet nga veshët e qeverisë”, nënvizoi Bozdo.

Sipas nënkryetarit të bashkisë, është gati një projekt prej 3.5 milionë eurosh për zgjerimin e dy varrezave, atë të Sharrës dhe atë të Shishtufinës, nëpërmjet shpronësimeve, si dhe për rehabilitimin e tyre. Por mungesa e buxhetit ka penguar vënien në zbatim të tij.

Top Channel