Basha, në kishën e mrekullive

13/06/2014 00:00

Të enjten në mbrëmje kulmuan ditët e pelegrinazhit në Kishën e Laçit. Me mijëra pelegrinë, nga e gjithë Shqipëria, por edhe jashtë saj, kishin nisur rrugën e pelegrinazhit që në orët e para të mëngjesit, për t’u vendosur në këtë vend të shenjtë gjatë natës.

Ceremonitë bëhen në pritje të 13 Qershorit, festës së Shën Ndout, apo Shën Antonit të Padovës, emrin e të cilit mban dhe kisha, por edhe e gjithë zona, e cila ka famën e një vendi që bën mrekulli.

Mes pelegrinëve ishin shumë personazhe të njohur, një prej të cilëve edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka kaluar natën së bashku me gjithë pelegrinët e tjerë.

“Nuk është hera e parë që vij këtu dhe me ndihmën e Zotit shpresoj të mos jetë hera e fundit. Besoj se mbi gjithçka flet vet prania e njerëzve, të cilët në këtë natë të Shën Ndout mblidhen këtu, i luten Zotit, ndajnë me njëri-tjetrin sublimitetin e këtij pelegrinazhi, dhe bashkë me të edhe shpresën dhe besimin për një të ardhme më të mirë”, tha Lulzim Basha, kryetar i PD.

“Këtu kam ardhur që përpara viteve ’90, kur kam qenë fare i vogël. Më ka sjellë nëna. Unë si i krishterë mendoj se edhe çereku i këtyre këtu sikur të jenë të krishterë në Shqipëri, janë të mjaftueshëm”, u shpreh Frederik Ndoci.

“Sonte, mbase edhe pa dallim besimi fetar, vijnë te Kisha e Shën Ndout për të kërkuar hir dhe për të kërkuar bamirësi, apo atë çka njerëzit kanë nevojë”, tha Viktor Tushaj, kryetar i Bashkisë së Lezhës.

Fjetja në malin ku ngrihet Kisha e Shën Ndout është veçoria e pelegrinazhit 13-javor. Pelegrinazhi nis më 18 Mars, që është e marta e parë, dhe kulmon të martën e 13, ndërsa nata e 12 Qershorit në të gdhirë 13 Qershori, është kulmimi i festës dhe besimit.

Ndërkohë që, në zonë është shumë e famshme edhe shpella e një tjetër shenjti, Shën Vlashit, që mendohet se bën mrekulli.

Top Channel