Socialistët në 23-vjetorin e partisë

12/06/2014 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha, në 23-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste, deklaroi në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë se qeveria e sotme nuk përfaqëson vlerat e socialistëve të vërtetë pasi 23 vjet më parë ajo ndryshoi vetëm emrin dhe jo ideologjinë.

“23 vjet më parë, Partia e Punës së Shqipërisë, e mbledhur në një kongres në Pallatin e Kongreseve, vendosi të ndërrojë emrin në Partia Socialiste, por duke ruajtur vlerat e mëparshme. Socialistë të thjeshtë, qeveria e sotme nuk përfaqëson vlerat tuaja! Mes tyre nuk ka asnjë socialist”, deklaroi zoti Berisha.

“Këta po i vënë shkelmin kontributit 23-vjeçar të socialistëve të vërtetë”, shtoi deputeti demokrat.

Ish-kryeministri theksoi gjithashtu se qeveria nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e fushatës elektorale dhe aktualisht nuk po ndërton asnjë shkollë, spital ose rrugë.

Ndërsa deputeti socialist Taulant Balla deklaroi se “socialistët kanë sot një përvjetor të rëndësishëm dhe janë më krenarë se kurrë pasi e majta shqiptare e nxorri në pension Berishën në 23 qershor dhe shanset që të rikthehet në karriken e kryeministrit janë sa të Hondurasit që të fitojë Botërorin”.

“Qeveria pas 23 qershorit do të jetë edhe për socialistët, edhe për demokratët, jo vetëm për oborrin e ngushtë të një personi”, shtoi deputeti i majtë.

Top Channel