Protesta në Memaliaj dhe Rrogozhinë

12/06/2014 00:00

Dhjetëra banorë të Memaliajt janë tubuar në sheshin kryesor të qytetit për të protestuar ndaj strukturës së reformës administrative që parashikon që kjo njësi të jetë pjesë e Bashkisë së Tepelenës duke humbur në këtë mënyrë sipas grupit nismëtar të protestës, përveç identitetit edhe shërbimet kryesore administrative që do të duhet të zhvendosen për në Tepelenë.

Protestuesit kanë kërkuar mbështetjen dhe zbatimin e propozimeve 4 dhe 5 në draft-projektin për reformën administrative që e parashikon Memaliajn si bashki më vete duke përfshirë në administrimin e kësaj njësie dhe komunat Krahës, Qendër-Tepelenë, Buz, Qesarat e Luftinjë.

Një protestë e ngjashme është zhvilluar edhe në Rrogozhinë. Protestuesit duan që qytetit i tyre të jetë bashki më vete, në të kundërt do të bojkotojnë zgjedhjet lokale të 2015-s, do të bllokojnë rrugët nacionale, madje do të ndërmarrin veprimin ekstrem që është greva e urisë.

Sipas tyre, Rrogozhina nuk mund të fshihet me një të rënë të lapsit, ajo duhet të mbetet bashki. Protestuesit janë shprehur se asnjë nga përfaqësuesit politikë apo të zgjedhurit e tyre nuk ka kontaktuar për të diskutuar mbi këtë reformë.

Rrogozhina së bashku me fshatrat e saj shkon në 40 mijë banorë.
 

Top Channel