Mustafa Nano – Për marrëveshjen mes Greqisë e Shqipërisë mbi kufirin detar, të nënshkruar nga palët në Athinë e në Tiranë, por të hedhur poshtë nga Gjykata jonë Kushtetuese, është folur shumë.
Në Shqipëri ekziston një opinion mainstream, tanimë, sipas të cilit ajo marrëveshje ish e gabuar; më saktë, ish në dëm të interesave të Shqipërisë, ngaqë kufiri detar grek ngjitej pak më sipër sesa duhej. Dhe ky opinion është krijuar nga media. Në këtë diskutim, ka sa të duash që janë të sigurt se ka qenë opozita që ka mobilizuar ekspertët e saj në fushatën për të denoncuar marrëveshjen mbi kufirin detar, ndërsa vetë ajo është fshehur pas ekspertëve, të paktën në fillim, ngaqë nuk donte të zemëronte Athinën. Por në të vërtetë, kanë qenë media e ekspertët që kanë folur fillimisht. Opozita është tërhequr në këtë lojë në momentin që çështja u bë e madhe, në momentin pra kur ajo as mund ta injoronte, e në stilin shqiptar, as mund ta linte pa e përdorur. Dhe merret vesh, po flasim për atë opozitë që sot është në pushtet.
Athina nuk ka demonstruar ndonjë mllefosje pas vendimit të Gjykatës sonë Kushtetuese. Nuk para janë dëgjuar deklarata të pakujdesshme nga ana e zyrtarëve të saj, dhe me këtë kanë dhënë përshtypjen se po i bënin interpretimin adekuat e korrekt asaj që po ndodhte në Tiranë: “Një institucioni, në rastin konkret Gjykatës Kushtetuese, i duhej të shprehej lidhur me atë vendim; ajo u shpreh në përputhje me vullnetin e saj sovran; dhe kjo ishte e gjitha”. Madje, si për të demonstruar se ky vendim nuk shihej prej tyre si një yçkël më tepër të futur në marrëdhëniet mes palëve, ata kanë qenë ndër të parët që janë rreshtuar në favor të përpjekjeve të Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Të paktën, kjo është ajo që del nga raportet gazetareske mbi politikën e Athinës. Dhe kjo gjë është pritur mirë në Shqipëri.
Po tani si i bëhet? Nuk duket se ka ndodhur ndonjë hata. Palëve do t’u duhet ta rinegociojnë marrëveshjen, e në këtë kuptim loja fillon nga e para. Nuk ka shumë informacion mbi atë që ka ndodhur (nëse ka ndodhur ndonjë gjë) gjatë muajve të fundit, kur Shqipëria ka pasur në timon një mazhorancë e një qeveri të re, por nuk besohet se ka arsye që negociatat e reja të jenë veçanërisht të komplikuara. As për palën shqiptare, as për atë greke. Thjesht është për t’u përcaktuar një kufi detar mes dy vendeve fqinj, e nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë në botë. Ka praktika e precedentë ndërkombëtarë, ka edhe konventa ndërkombëtare, dhe gjithçka mund të zgjidhet në përputhje me çfarë thonë këto praktika e konventa.
Mirëpo, për ta bërë këtë lipset një klimë e qetë, lipset që të mos bëhen gjeste zevzekësh. Dhe kështu, si një gjest zevzekësh pra, duket se është parë në Athinë padia që Ministria jonë e Jashtme ka ngritur ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në fakt, ky është një gjest zevzekësh, por është për motive lokale, madje më së pari për motive lokale. Ditmir Bushati, nëse ka dyshime se në themel të asaj marrëveshjeje qëndron një disponim renegati, do duhet të ngrejë padi për ata diplomatë të vetët që kanë marrë pjesë në procesin e negociatave e që, pavarësisht reagimit që po provokonin me atë që po bënin, i shkuan deri në fund. Ajo marrëveshje ka qenë fryt i kontributit të dhjetëra zyrtarëve të administratës sonë publike, e në rrethanat që krijohet bindja (Bushati duket se e ka krijuar këtë bindje) se me marrëveshjen janë shitur interesa të vendit, le të ngrejë padi kundër atyre. Pse u dashka që këtë padi ta ngrejë më së pari kundër atij që sot, në letër të paktën, është kundërshtari i tij kryesor?
Mirëpo, efekti i kësaj padie ka mbërritur deri në Athinë dhe ka krijuar nervozizëm atje. Shenjat e këtij nervozizmi i ka dhënë e përditshmja konservatore Kathimerini, me anë të një editoriali të publikuar dy ditë më parë. Në të rrëfehej përralla e akrepit që i lutet bretkosës që ta hedhë matanë lumit; pas një hezitimi, bretkosa bie dakord, por për të keqen e vet; me gjithë premtimin e dhënë, akrepi, ndonëse në hall, bëri atë që di të bëjë, i nguli thumbin në shpinë bretkosës zemërmadhe. Prapa këtyre metaforave qëndronin Greqia e Shqipëria. E para, Greqia, është bretkosa, viktima. E dyta, Shqipëria, është akrepi, agresori.
Tani, paralelja është e lezetshme, por shkon pjesërisht. Është e vërtetë që Shqipëria ka nevojë të hidhet matanë lumit (kërkon të marrë statusin e vendit kandidat), është e vërtetë edhe që Greqia ka në dorë t’ia zgjidhë këtë hall, është e vërtetë më në fund që Greqia e ka bërë të vetën, por ky viktimizimi i Kathimerini-t është një pesë me hiç. Aq më shumë është e tillë përpjekja për ta vizatuar Shqipërinë si akrep që ngul thumba në shpinën e të tjerëve. Pastaj, nëse ka një vend që nuk ka gojë për ta thënë një gjë të tillë, ky vend është Greqia. Politika shqiptare mund t’i ketë të gjitha të këqijat e botës, por ajo kurrë nuk ka ditur, nuk ka dashur e nuk ka mundur t’i ngulë thumba Greqisë.
Kathimerini, ashtu si dhe grekë të tjerë që ndjekin me vëmendje zhvillimet e politikës së Tiranës, e kanë të qartë se gjesti i ministrit të Jashtëm është një mistrecllëk me efekt lokal, dhe në fakt, në editorialin e gazetës greke thuhet se padia në ngarkim të Bashës është, mes të tjerash, një tentativë e mazhorancës për të krruajtur brirët me opozitën. Në Athinë mund të shihet kjo lëvizje edhe me ndonjë përthyerje antigreke, por kjo do të ishte një optikë bajagi e sforcuar.
Ka dhe një gjë tjetër që nuk shkonte në shkrimin e Kathimerini-t. Aty, vendimi i Greqisë për ta ndihmuar Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE, shihej si dhuratë që i bëhej Shqipërisë. Me këtë logjikë shihej dhe vendimi për zgjidhjen e çështjes së toponimeve në pasaportat shqiptare. Mirëpo, me këtë logjikë nuk ecet. Greqia është e interesuar që në veriun e vet të ketë një fqinj normal, të stabilizuar, demokratik, të begatë, të integruar në Europë, një fqinj që të mos bëhet barrë për të. Dhe është ky “interes” i saj në themel të të gjitha qëndrimeve që ajo mban. Nuk është punë dhuratash pra. Po të ish punë dhuratash, do t’i binte që ata, në këmbim, të prisnin dhurata nga ne. Mirëpo ne nuk kemi ç’të dhurojmë. Veç në u dhënçim ndonjë copë deti.
Top Channel