Largimi i fëmijëve nga rruga

12/06/2014 00:00

Janë me qindra fëmijë, që detyrohen me forcë të lypin në rrugë nga tutorët, të cilët në shumë raste janë edhe prindërit e tyre.

Çdo ditë, një prej këtyre fëmijëve, që qëndron me orë të tëra në rrugë, në temperatura të larta dhe të ulta, fiton 10 mijë lek, parà që i rrëmbehen nga një i rritur, i cili e keqtrajton nëse ai rebelohet.

Nismës së Ministrisë së Mirëqenies Sociale, për të ndalur fenomenin e dhënies së parave çdo fëmije që lyp, i janë bashkkuar 200 vullnetarë.

“E vetmja mënyrë për ta falimentuar, është duke mos i bërë xhiro atij biznesi. Momentalisht janë rreth 2000 që kemi identifikuar, që janë lypësa aktiv në Shqipëri. Një lypës, mesatarisht, sidomos ata që janë në Tiranë, gjeneron rreth 100 mijë lek në ditë, që në fund të muajit bëjnë 3 milionë lek, duke e kthyer këtë në një biznes. Është një biznes i mirëfilltë, që ka një kosto shumë të lartë njerëzore, e cila është kostoja e shkatërrimit të atij fëmije”, tha ministri Erion Veliaj.

Policia, por edhe strukturat e shërbimit social, po punojnë, që fëmijët të hiqen nga rruga dhe të marrin shërbimin e duhur. Por, një pengesë e fortë mbeten tutorët, të cilët duhet të dënohen sipas ligjit, për këtë shfrytëzim të fëmijëve.

“Një fëmijë nuk ka nevojë për ‘cash’, se as nuk e kupton. Për ‘cash’ ka nevojë tutori i vet. Disa njerëz, që e kanë kthyer skllavërinë moderne në një biznes, nuk janë më çështje sensibilizimi. Ajo është një veprimtari kriminale, që duhet trajtuar nga instancat e tjera, që merren me veprimtari kriminale”, shtoi më tej Erion Veliaj.

Veliaj i ka bërë thirrje qytetarëve që, për fëmijët që ata shohin në rrugë e ndiejnë keqardhje, le t’u japin ushqim, veshje, apo libra, pasi kjo është e vetmja ndihmë e vërtetë për ta.

Top Channel