Fituesi i rrethuar me vetmi

12/06/2014 00:00

Aleksandër Cipa – Rasti “ndryshe” i rezultatit zgjedhor në Kosovë, natyrisht që ka lidhje me transferimin e qeverisjes nga ish-kryeministri Hashim Thaçi në koalicionin e opozitarëve të deridjeshëm të tij.

PDK-ja u mposht edhe pse doli e para ndër gjithë partitë. Kjo ngjau sepse logjika e konsumimit deri në mandatin e tretë të pretenduar u eklipsua nga dëshira për të qenë qeverisës më tej. Mungoi dramatikisht bujaria e Kryeministrit në detyrë Thaçi, sipas së cilës do të duhej të realizonte parandarjen e pushtetit me dikënd tjetër, para se të vinte suksesi i pretenduar zgjedhor. E thënë ndryshe, ai shkoi në betejën zgjedhore pa aleatë, domethënë “dhe i vetëm trim në zgjedhje”. Mirëpo mëritë e grumbulluara nga të mundshmit aleatë të tij, gjetën destinacion të përbashkët, u shndërruan në koalicion kundërshtarësh, i cili tashmë rezulton si përqindja më e madhe e shënuar ndonjëherë në skenën politike të vendit, gati 70 për qind e votuesve pjesëmarrës. Në këto kushte ai, i suksesshmi Thaçi, nuk u shndërrua dot në fitues, por mbeti “fitues në nevojë” gati të papërmbushura.

Tri ditë më parë, ndërsa ishin orët e para të mbylljes së procesit zgjedhor, solla përmes gazetës “Shqip” shkrimin “Hashim Thaçi një fitues në nevojë”. Nevoja e zotit Thaçi për ortakë mbeti vetëm ide dhe përballë tij, në kohë të menjëhershme, u krijua koalicioni postzgjedhor i menjëhershëm, i cili në kohë rekord dhe pa debate të njohura ndau në parim postet e larta të qeverisjes dhe të institucioneve kushtetuese. Pra, këto zgjedhje të parakohshme, si kurrë më parë u mbyllën njëkohësisht duke u arritur një marrëveshje ndër tre partnerë për ndarjen edhe të posteve të Kryeministrit, Presidentit të Republikës dhe kryetarit të Parlamentit. Në këtë marrëveshje është respektuar në tryezë partia e dytë me rezultat më të madh në këto zgjedhje, ajo e LDK-së e kryesuar nga zoti Isa Mustafa, duke u lënë në parim posti i kryetarit të Parlamentit dhe në respekt të kushtetutshmërisë, në të ardhmen, edhe ai i Presidentit. Ndërkohë që ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i ardhuri nga Haga me ambicien e parashpallur për të qenë sërish Kryeministër i Kosovës, me sa duket mbetet shumë afër realizimit të profecisë së vet. Natyrisht, kjo është një marrëveshje e mundshme, por që në ditët dhe muajt e ardhëm mund të përballet me sfida penguese që vijnë prej diplomacisë ose ndërhyrjes ndërkombëtare.

Ndërkohë, subjekti politik postzgjedhor vazhdon ende. Sipas gjasave, koalicioni opozitar do të përcaktohet pashmangshmërisht si shumica e re parlamentare në Kosovë. Kjo paralajmëron një moment të ri konflikti politik mes partisë që rezulton e para dhe grupit të partive që krijojnë në tryezë shumicën. Shenjat po jepen. Njëra palë, ajo e Kryeministrit në detyrë, Thaçi, po i mëshon pretendimit për pakushtetutshmëri të vendimit politik të koalicionit Mustafa-Haradinaj-Limaj. Ndërkohë që në mediat që mbështesin koalicionin e ri po publikohen referenca realitetesh të ngjashme apo në reminishencë me formulën e re të koalicionit postzgjedhor. E përditshmja “Koha ditore” nënvizon në shënimin: “Kosova ndjek shembullin e Luksemburgut”: “Në një prej vendeve më të zhvilluara në botë, me traditë të lartë demokratike si Luksemburgu, kemi dëshminë se si partia më e fortë, e cila për dhjetë për qind në zgjedhje doli para asaj në vendin e dytë, është sot në opozitë. Fjala është për Partinë e Jean Claude Juncker-it, ish-kryeministrin e Luksemburgut, i cili sot është kandidat për kryetar të Komisionit Europian (Partia Sociale Kristiane), e cila me 33% të votave kishte dalë fituese relative e zgjedhjeve në Luksemburg vitin e kaluar dhe ka 23 vende në Parlament…”

Gjithsesi Luksemburgu nuk është ngjashmëri adekuate me rastin në zhvillim në Kosovë dhe ky rast nuk pati jehonë apo mbështetje referenciale në debatin e sapohapur në Prishtinë. Sikundër përkundër tij, mund të merret shembulli i Bersanit në Itali.

Kjo situatë vijuese post-zgjedhore në Kosovë, po evidenton disa reminishenca me përvojën dhe praktikën politike të hasur në Shqipërinë e dy dekadave të fundit. Përcaktueshmëria ose jo e së drejtës kushtetuese të koalicionit të ri pretendues për qeverisjen e re, sipas gjasave, do të çelë debatin për interpretim të Kushtetutës. Zëvendëskryeministri në detyrë, Hajredin Kuçi, e shprehu qartë këtë në prononcimin e djeshëm. Nga ana tjetër, kandidati për Kryeministër Haradinaj, nxitoi kontaktet me përfaqësues të diplomacisë në Prishtinë për të zyrtarizuar aktin marrëveshës mes krerëve të koalicionit të ri. Dy pika ndikuese, ose më saktë forca të pakrahasueshme me njëra-tjetrën, në këtë situatë janë Lëvizja Vetëvendosje dhe AKR që pret ende disa vota për të konfirmuar hyrjen ose jo në Parlament.

Vetëvendosja rezulton forca me qëndrimin më serioz dhe largpamësi politike. Subjekti politik që po investon zgjuarsisht ruajtjen e vetvetes nga konsumimi dhe mosikja prej parimeve me peshë, ka për të qenë aktori me rëndësi të paeklipsueshme jo vetëm në jetën e ardhme parlamentare, por edhe në funksion të demokracisë institucionale të Kosovës.

Nga ana tjetër AKR e zotit Pacolli, duket se më shumë pretendohet të jetë një element alibik që zoti Thaçi të fitojë vobektësisht, një aleat në miniaturë, përballë koalicionit kundërshtar dhe imponues. Edhe me kaq, zoti Thaçi e ka të pamundur ta kapërcejë “rrethimin e rezultatit” edhe pse atë e kryesoi, por rezultoi vetë i rrethuar me vetmi.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA