“Të rishihet ligji për gjyqësorin”

11/06/2014 00:00

Kur reforma në drejtësi është kthyer në një kryefjalë të ditës, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja gjatë një interviste për Top Channel deklaron se gjëja e parë duhet të nisë nga rishikimi i ligjit “për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”,  që qytetarëve t’u sigurohet një proces i rregullt ligjor duke nisur që në shkallën e parë.

“Ne kemi konstatuar disa gjëra të cilat unë mund t’i bëj të ditura dhe të cilat kanë nevojë për t’u rregulluar. Mendoj që ligji i ri për karrierën dhe meritën, ndoshta ka nevojë për t’u rregulluar. Është shqyrtuar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Të gjithë e dimë që gjyqtarët e Shkallës së Parë luftojnë për të shkuar në Gjykatën e Apelit, gjyqtarët e Apelit luftojnë për të shkuar në Gjykatën e Lartë dhe për në Gjykatën Kushtetuese. Mendoj që duhet gjetur një mekanizëm që të plotësojë pritshmëritë e tyre, por që gjyqtarët të mos jenë të motivuar të luftojnë për të shkuar në Gjykatën e Apelit apo në Gjykatën e Lartë. Kjo do të ndikonte edhe në punën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në përzgjedhjen e tyre për në Gjykatën e Apelit, por edhe të atyre që marrin pjesë në zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pra Presidenti, Parlamenti. Nëse një gjyqtari i lihet një karrierë e caktuar, një vjetërsi e caktuar dhe plotëson kriteret për të punuar në Gjykatën e Apelit, por nuk ka vende në Gjykatën e Apelit, pavarësisht se punon në Gjykatën e Shkallës së Parë, të marrë të gjitha përfitimet e një gjyqtarit të Gjykatës së Apelit. Nëse do të futet ky mekanizëm i vlerësimit të karrierës dhe i anës materiale, kjo do të shërbente në dy aspekte pozitive. Ajo që është e rëndësishmë për mua, është që gjyqtarët më të mirë të cilët luftojnë për karrierë nuk do të luftojnë për të shkuar në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën e Lartë duke lënë Gjykatën e Shkallës së Parë, të themi me gjyqtarë të një niveli më të ulët”, propozon kreu i Gjykatës Kushtetuese.

Së dyti për zotin Dedja është e nevojshme vendosja e filtrave të duhur në mënyrë që jo çdo çështje të përfundojë në Gjykatën e Lartë.

“Ka nevojë për ndërhyrje të tjera që mund të lehtësojnë punën e gjykatave në tërësi. Të gjithë e dimë që Gjykata e Lartë ka probleme me kohëzgjatjen e gjykimeve për shkak të ngarkesës së madhe që ka. Mendoj që duhet gjetur filtra dhe mekanizma që duhet të lehtësojnë këtë barrë të kësaj gjykate, por njëkohësisht duke iu përgjigjur në kohë edhe qytetarëve për të marrë një vendim brenda një afati të arsyeshëm dhe të arsyetuar. E para që mund të jetë është shtimi i numri të gjyqtarëve, që ka koston e saj, dhe e dyta rregullimi i filtrave të cështjeve që shkojnë në Gjykatën e Lartë duke shtuar kriteret të cilat u japin të drejtë palëve që shkojnë në Gjykatën e Lartë”, thotë Dedja.

Gjithashtu për kreun e Kushtetueses duhet të nisë sa më shpejt ngritja e Gjykatës së Arbitrazhit, për të cilën prej më shumë se një dekadë ekziston edhe paketa ligjore.

“Një gjë tjetër që mund të bëhet dhe duhet të bëhet, është krijimi i arbitrazhit, është miratuar që në vitin 1996. Ka detyrim ligjor shteti për të krijuar Arbitrazhin. Nga viti 1996 e deri më sot nuk është krijuar. Në Kodin e Procedurës Civile ka 38 nene, nga neni 400 deri në 438 që ka rregulluar në mënyrë të hollësishme funksionimin e Gjykatës së Arbitrazhit. Krijimi i kësaj gjykate lehtëson në masë të madhe gjykatat nga gjykimi i cështjeve që zgjidhen jashtë gjyqësisht, me marrëveshje të palëve dhe që lehtësonin punën e gjyqësorit. Janë shumë më të shpejta dhe shumë më efektive”, shton Dedja.

Për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese ajo që është më e rëndësishme duhet që çdo reformë apo ndërhyrje në ligj të bëhet në funksion dhe për drejtësinë.

Top Channel