Statusi, Basha takon ambasadorët

11/06/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar paraditen e së mërkurës një drekë pune me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë.

Takimi i tyre, në formën e drekës së punës, zgjati rreth dy orë dhe në fokus kishte lobimin e opozitës për marrjen e statusit të vendit kandidat, për të cilin vendoset në fund të muajit.

“U përcollëm vendeve anëtare, përmes të dërguarve në Tiranë, mesazhin se opozita mbështet pa kushte statusin, se Shqipëria dhe shqiptarët e kanë përmbushur procesin ndër vite dhe me sukses. Sfida e vendit pas marrjes, që shpresojmë të ndodhë në fund të muajit, është hapja e negociatave për anëtarësim”, deklaroi zoti Basha në fund të takimit.

Kryetari i Partisë Demokratike bëri gjithashtu të ditur se, u shprehu ambasadorëve edhe disa shqetësime lidhur me funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri dhe atë që opozita e cilëson një sjellje ‘anti-demokratike’ të qeverisë.

“Diskutuam edhe për çështje që kanë të bëjnë me aktualitetin politik, për problemet e bëra evidente nga opozita mbi parametrat e shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale”, theksoi Basha.

Top Channel