Rama: Bëmë gjithçka për statusin

11/06/2014 00:00

Në ndalesën e parë të tij në Paris si kryeministër, Edi Rama u shfaq përkrah ambasadores franceze në Tiranë, ndërsa konfirmonte gjetjet e Komisionit mbi konsolidimin e reformave ndaj gjyqësorit, krimit, korrupsionit e trafiqeve në Institutin francez të mardhënieve ndërkombëtare.

“Ne bëmë gjithçka duhej bërë. Komisioni Europian bëri një raport të përparimit, që është më pozitivi që prej se Komisioni bën raport progrese. Sot Franca nuk e konsideron Shqipërinë burim të trafikut të qënieve njerëzore si para disa vjetësh, për shkak të shkëmbimit të informacionit”, deklaroi Rama.

Gjatë debatit me politikëbërës, studiues dhe diplomatë europianë, që udhëhiqej nga drejtori i Institutit francez të krijuar në vitin 1978, Thierry de Montbrial, njëhkohësisht president i Konferencës Botërore të Politikave, kryeministri shqiptar foli për pritshmërinë e marrjes së statusit kandidat në fund të qershorit nga Këshilli i Bashkimit Europian.

“Uroj ta marrim në qershor. Do doja që të reduktohej kohëzgjatja që na pret nga integrimi në anëtarësim. Thënë këtë, nuk pres të lëhetësohen reformat, por vendi im ka nevojë për BE-në, po ashtu si BE ka nevojë për vendim tim. E njëjta gjë vlen edhe për gjithë Ballkanin”, theksoi Rama.

Në përgjigjen ndaj diplomatit sllovak, Edi Rama tregoi se procesi i zgjerimit të BE-së nuk është njësoj i parashikueshëm si më parë, duke iu referuar jo vetëm kërkesave në rritje të Komisionit, por edhe qëndrimit politik të vendeve anëtare ndaj raportit të progresit.

“Gjermania dhe Franca nuk duan zgjerim para 2020-s”, argumentoi në këtë takim ish-zëvendëskryeministri serb, Bozhidar Gjeliç, i cili udhëhoqi bisedimet integruese të Beogradit me Brukselin deri në vitin 2011.

Por megjithë bllokimin e negociatave ndaj Serbisë, Rama u shpreh se lodhja nga zgjerimi nuk mund të jetë e pabarabartë, duke kujtuar se ende nuk janë hequr vizat për kosovarët, që lëviznin lirshëm gjatë diktaturës komuniste në Europë.

Rama: E ardhmja jonë është Europa

Kryeministri, intervistë për emisionin francez ‘Le Grand Soir 3’

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Paris në kuadër të një vizite
zyrtare, në një intervistë për emisionin televiziv “Le Grand Soir 3”, ka
shprehur vullnetin e qeverisë së tij për të ardhmen evropiane të
Shqipërisë.

Gjatë intervistës Rama është shprehur i vetëdijshëm për euroskepticizmin që ekziston ndaj opsionit të zgjerimit, por shprehet besimplotë tek vizioni i qartë i liderëve evropianë.

Gazetari: Edi Rama, faleminderit që jeni me ne! I keni ndjekur me vëmendje imagjinoj zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe keni parë që ka shumë zhgënjim kundrejt Europës dhe institucioneve Europiane ndërsa ju doni t’i bashkoheni klubit, çfarë ju tërheq në Europë?

Rama: Ne bëjmë pjesë në europianët që nuk janë akoma të zhgënjyer nga Europa. Ne bëjmë pjesë në europianët që vazhdojnë ende të besojnë endrrën e Shumanit dhe të gjithë baballarëve themelues të Europës. Do t’ju them diçka; ka njëqind vjet që kur Lufta e Parë Botërore filloi dhe pas saj cikli i luftërave, por është hera e parë që kemi paqen mes vetes ne në Ballkan, jo sepse jemi ëngjëj të paqes, por sepse jemi të bindur se Europa është e ardhmja jonë. E them këtë për vendin tim dhe njëkohësisht për gjithë të tjerët. Nuk shoh dhe nuk besoj që ka ndonjë projekt tjetër që njerëzimi ka krijuar që mund të krahasohet me projektin e madh europian.

Gazetari: Ta theksojmë për shikuesit se fakti që ju flisni kaq mirë frëngjisht, e pamë edhe më parë që gjuha franceze mësohet në vendin tuaj, po rasti juaj është se ju keni jetuar disa vite në Francë.

Rama: Shqipëria është pjesë e frankofonisë dhe është një vend ku mësohet frëngjishtja, ku flasim shumë gjuhë të huaja. Është vendi me moshën më të re në Europë dhe po ashtu vendi që ka dalë nga një diktaturë shumë e egër. Gjithashtu, është vendi ku sipas statistikave jemi më të hapurit ndaj Europës.

Gazetarja: Çdo të thonit për ata që shohin sot këtë intervistë dhe thonë, edhe një vend tjetër, edhe një vend tjetër më i varfër se ne. Ju bezdis të ushqeni euroskepticizmin, si do reagonit ndaj tyre?

Rama: Unë besoj që euroskepticizmi është ushqyer nga frikëra që nuk bazohen në realitetin e Europës dhe më vjen keq që euroskepticizmi vazhdon të rritet, sepse nuk shoh ndonjë projekt tjetër më të mundshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë, si Europa.

Gazetarja: Ju nuk mendoni se duhet të bëhet një pauzë, për hyrjet e reja?

Rama: Po ju them ju francezëve diçka shumë të thjeshtë; Nuk duhet të shqetësohemi, sepse ne do të marrim statusin e vendit kandidat dhe nuk do të jemi menjëherë anëtarë nesër. Statusi i kandidatit është hapi i parë, pastaj janë negociatat që marrin rreth dhjetë vjet, ndaj nuk duhet të shqetësohemi. Por nga ana tjetër dua të përfitoj të them që është diçka e çuditshme që Franca, një nga shtyllat themeluese të Europës ndodhet në këtë situatë, mjaft të veçantë, ku të flasësh për Europën nuk është edhe aq e rregullt politikisht dhe është vërtet diçka që të bën të ndihesh keq.

Gazetari: Ju do të takoni nesër François Hollande dhe ndoshta do të flisni për zgjedhjet europiane, por a mendoni se e keni mbështetjen e tij për statusin e vendit kandidat?

Rama: Besoj që Presidenti francez ka pasur një vizion të qartë kur vitin e kaluar ai i mblodhi liderët e vendeve europiane në Bordeaux dhe foli për një të ardhme europiane të vendeve Ballkanike. Dhe besoj gjithashtu se Kancelarja Angela Merkel ka po ashtu një vizion të qartë për të ardhmen e Europës kur ajo u angazhua për të organizuar një Samit me liderët ballkanikë për të parë mundësitë sesi këto vende mund të lidheshin bashkë në një të ardhme të përbashkët.

Top Channel