Një ditë më parë Bashkia e Tiranës prezantoi në publik projektin për tramin e Tiranës. Por çfarë do të përmbajë në detaje kjo risi për qytetarët? Projekti i përzgjedhur parashikon që trami të ndjekë të njëjtën trajektore që ndjek autobusi në linjën Kinostudio- Kombinat.

Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo sqaron se do të ketë 14 stacione ndalimi si ato të autobusit duke respektuar distancën çdo 300 metër dhe sipas dendësisë së banorëve. Trami do të ketë korsi të dedikuara ndërsa semaforët do të bëhen me 3 kohë, për makinat, tramin dhe kalimtarin.

“Do të respektojë semaforët ku në ato kryqëzime ku ka semaforë për makinat dhe për kalimtarët do të ketë një semafor të vecantë për tramin, në mënyrë që kur trami të lëvizë, as kalimtarët dhe as makinat të mos ndërhyjnë në të. Në pjesën e rrugës së Kombinatit, deri në rrugën e Kavajës, zgjidhja do të jetë kalimi në mes të rrugës, duke ruajtur linjat e trafikut majtas dhe djathtas, sic janë sot”, thotë nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo.

Në qendër trami do të kalojë në mes të lulishtes së sheshit “Skënderbej” duke u ngjitur në rrugën e Dibrës, rrugë që pas ndërtimit të tramit do të ketë vetëm një kah lëvizje për automjetet.

“Do të shkojë përgjatë lulishtes së madhe në Sheshin Skënderbej dhe do të mblidhet në rrugën e Dibrës. Do të ruajmë një rrugë Dibre me trafik të kufizuar, që do të thotë që trafiku në rrugën e Dibrës do të ruhet vetëm në një drejtim të vetëm, ndërsa rrugët në të majtë dhe të djathtë do të jenë me sens unik. Pas Selvisë, ku rruga sërish zgjerohet, do të kalojë në mes dhe në Kinostudio do të vazhdojë në mes dhe diku tjetër kemi sërish një ngushtim të ngjashëm me rrugën e Dibrës”, sqaron Bozdo.

Por projekti kërkon edhe investime dhe për realizimin e tij Bashkia i ka kërkuar qeverisë të dalë garant për riskun e investitorit.

“Nëse qeveria do të konsiderojë vendosjen e një garancie sovrane, atëherë në cfarë mase e garanton? Të gjithë projektin apo pjesërisht atë? Me të patur këto dy të dhëna ne do të rimendojmë strukturën e koncesionimit. Kjo bën të mundur që institucioni financiar ndërkombëtar të minimizojë riskun e moskthimit të kredisë, të kreditojë sektorin privat me një normë më të ulët interesi që do të thotë që më shumë kompani do të hyjnë në garë dhe ne përfitojmë që do të marrim ofertën më të mirë, qoftë financiare, qoftë teknologjike”, shton Bozdo.

Nëse qeveria shqiptare do të dalë garant atëherë Bashkia e Tiranës do të vijojë me procedurat e koncesionit dhe punimet për linjën e parë të  tramit mund të nisin në pranverën e viti të ardhshëm.

Top Channel