Në kohën kur presin të vjelin prodhimet bujqësore, banorët e komunës Pustec sërish përballen me karkalecin.

Insekti i cili ka infektuar sipërfaqe të tëra prej vitesh u ka shkaktuar këtyre fermerëve dëme të mëdha. Prej të paktën 4 vitesh, kur edhe nisi infektimi në masë, apeli i tyre ka qenë i vazhdueshëm, por pa asnjë zgjidhje. Insekti i cili ka pushtuar jo vetëm tokat dhe kulturat bujqësore të kësaj zone, por edhe banesat, ka bërë që Ministria e Bujqësisë të ndërmarrë një fushatë për shfarosjen dhe parandalimin e infektimit nga insekti i cili shfaros çdo gjë që i del përpara.

Hapi i parë është hedhur në fshatin Kallamas ku karkaleci është përhapur në masë, ndërsa vetë ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, së bashku me një firmë të specializuar në këtë fushë, ka analizuar situatën duke premtuar edhe zgjidhjen e saj.

“Kjo fushatë do të shtrihet në të gjitha zonat ku kemi prekje nga karkaleci. Më pas do të nisë lufta ndaj miut të arave dhe dëmtuesve të tjerë”, u shpreh zoti Panariti.

Ndërkaq, firma e specializuar e cila do të bëjë të mundur shfarosjen e insektit ka dhënë garanci të plotë për efikasitetin e pesticidit: “Kërkesa primare e ministrit ka qenë për ilaçe biologjike dhe të padëmshme për mjedisin. Do të jenë ilaçe efikase 100%.”

Ministri Panariti ka garantuar se përveç kësaj komune ku intensiteti i infektimit është tepër i lartë edhe në zona të tjera do të merren masa për të parandaluar depërtimin në të mbjella dhe dëmtimin e fermerëve.

Top Channel