
“Përtej pritshmërie” e konsideroi kryeministri Edi Rama vizitën e tij në Paris, në një kohë kur vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë nisur diskutimet paraprake në Bruksel mbi Shqipërinë, në bazë të raportit të Komisionit që i rekomandon Këshillit të BE-së sërish dhënien e statusit kandidat.
Presidenti francez, François Hollande, priti për herë të parë në selinë e tij kryeministrin shqipëtar dhe në këtë takim pune merrnin pjesë dhe ministrat e jashtëm të vendeve respektive, Ditmir Bushati dhe Laurent Fabius.
Integrimi europian ishte fokusi i bisedës për palën shqiptare, por më shumë detaje u dhanë pas takimit rreth diskutimeve mbi bashkëpunimin ekonomik, kulturor, policor e ushtarak.
Nxitja e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve përmendet edhe në njoftimin për shtyp që Elysee shpërndau disa orë pas takimit. “Ky takim mundësoi gjithashtu rivlerësimin e afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, dhe veçanërisht çështjen e dhënies së statusit kandidat,” vijon më tej qëndrimi i zyrës së Hollande.
“Presidenti i Republikës kujtoi mbështetjen e Francës ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë dhe inkurajoi zotin Rama për të ndjekur përpjekjet afatgjata që janë angazhuar për të përmirësuar qeverisjen, shtetin e se drejtës, dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar brenda vendit,” thuhet më tej,pavarësisht qëndrimit hezitues të Francës që u vërejt në mbledhjen e fundit të përfaqësuesve të vendeve anëtare që merren me Ballkanin.
Në fund të deklaratës për shtyp të shefit të Elysee përmendet dhe rëndësia e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit. Megjithëse vendimi për çështjen e kandidaturës nuk shqyrtohet , si në disa shtete të tjera anëtare, edhe në parlamentin francez, por vetëm nga qeveria, delegacioni shqiptar, ku bënin pjesë dhe deputetët Besnik Baraj dhe Evis Kushi, zhvilluan takime me presidentin e Senatit Jean-Pierre Bel si dhe me sipërmarrësit francez të interesuar për të investuar në fushën e shërbimeve financiare, infrastrukturës dhe energjetikës në Shqipëri.
Rama: Takimi përtej pritshmërive
“Europa ka nevojë për Ballkanin, Hollande do të vizitojë Shqipërinë”
Pas Elizesë, kryeministri Rama u shpreh se takimi me presidentin Hollande shkoi përtej çdo pritshmërie dhe se Europa ka nevojë për Ballkanin, po aq sa Ballkani për Europën. Rama tha gjithashtu se Presidenti francez premtoi të vizitojë Tiranën. I pyetur nëse i frikësohet reagimit për shkak të tonit të fortë dhe gjuhës direkte, Rama tha se ai flet hapur si europian.
TCH: Zoti Rama, sa e ndryshoi vizita juaj qëndrimin e Parisit?
Kryeministri Edi Rama: Këtë do ta shikojmë kur Parisi të shprehet zyrtarisht, por mund tiu them se takimi ka qenë përtej pritshmërive. Komunikimi me presidentin ishte tërësisht i hapur dhe miqësor, dhe jam i bindur që nuk them dicka të gabuar, nëse u them të gjithë shqiptarëve se duhet të përgatitemi që presidentin e Francës ta kemi në Shqipëri, në një kohë të arsyeshme për të, por sigurisht jo shumë larg nga sot.
TCH: Cfarë argumentash u përdorën gjatë takimit që Ju zhvilluat me të?
Edi Rama: Folëm për dimensionin rajonal të cështjes së integrimit në BE dhe sigurisht unë këmbëngula në një aspekt që besoj se është fort i rëndësishëm, që aq sa Ballkani dhe Shqipëria kanë nevojë për Europën dhe BE, aq edhe sot Europa dhe BE kanë nevojë për Shqipërinë dhe Ballkanin. Besoj se mesazhet që ne dhamë u dëgjuan qartë, ashtu sikundër u fol me imtësi edhe për aspektet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Francës në fushën ekonomike dhe shkëmbimit kulturor.
TCH: Zoti Rama, tonet tuaja të forta gjatë diskursit që Ju keni gjatë përpjekjes për t’u mbushur mendjen vendeve anëtare të BE, nuk mendoni mund të rrezikojnë të kenë edhe efektin e kundërt?
Edi Rama: Unë nuk besoj se ato që thoni ju tone të forta, tingëllojnë ndryshe nga ajo që ka qenë për dekada të tëra muzika e Europës dhe europianizmit, rrugës drejt BE-së. Unë flas hapur, flas drejtpërdrejt, si europian, s’kam asnjë kompleks për këtë dhe jam i bindur se kush nuk ka komplekse e dëgjon pa asnjë rezervë mendimin tim, pavarësisht nëse është apo jo dakord.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel