Gaiani: Droga, problem i vështirë

11/06/2014 00:00

Ambasadorët e vendeve të BE-së takimin e përjavshëm në selinë e delegacionit të Unionit në Tiranë ia kushtuan ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtorit të policisë, Artan Didi, për t’u informuar rreth planit të Ministrisë së Brendshme dhe policisë në luftën kundër kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike.

Në përfundim të takimit që ka zgjatur 90 minuta Top-Channel pyeti ambasadorin e Italisë Masimo Gaiani, nësë ishte i kënaqur me përpjekjet e deritanishme nga autoritetet shqiptare në luftëm kundër narkotikëve.

“Ministri Tahiri na shpjegoi planet që ka qeveria për ta luftuar këtë problem. Morëm një shpjegim të detajuar se çfarë qeveria këkron të bëjë. Kemi të bëjmë me një problem aspak të lehtë. Le të presim se si do të shkojë ky plan. Ne kemi nisur të mendojmë si ta ndihmojmë Shqipërinë për ta luftuar këtë problem të vështirë”, deklaroi Gaiani.

Ministri Tahiri deklaroi se kultivimi dhe trafiku i drogës është një problem që shkon përtej dikasterit që ai drejton. “Ndava me ambasadorët strategjinë për luftën kundër drogës dhe mundësitë e zgjidhjes së kësaj çështjeje, që nuk është e vogël, por që do ta trajtojmë me partnerët ndërkombëtarë. Së shpejti do të fillojë filmimi me avion i fushave të kultivuara me kanabis, ndërkohë që procesi për luftën ndaj këtij fenomeni tashmë ka nisur. Ky problem shkon përtej policisë, Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë. Zgjidhja e tij duhet të përfshijë shoqërinë dhe partnerët. Pra, kërkon zgjidhje evropiane”, deklaroi Tahiri.

Bashkëpunimin në terren me autoritetet vendore morën vlerësimin e ministrit Tahiri. “Janë rreth 600 informacione të administruara nga policia për çdo zonë, për pjesë të veçanta të territorit që konsiderohen me risk specifik për kultivimin. Kjo do të thotë se ka bashkëpunim me institucionet vendore në çdo qark. E marrim këtë si të mirëqenë se punohet për qëllimin e përbashkët: një Shqipëri më të sigurtë”, tha Tahiri.

Ndërsa ambasadori i Holandës, Martin De La Bej, vendi i të cilit është një prej konsumatorëve më të mëdhenj në Europë të kanabisit, nuk preferoi të bënte komente për takimin.

Lufta ndaj krimit, Tahiri takon Alfanon

Një ditë më parë, në kuadër të luftës kundër krimit, ministri Tahiri ishte për një vizitë pune në Romë, Itali, ku u prit
në një takim të veçantë nga ministri i Brendshëm italian, Angelino
Alfano.

Ministri i Brendshëm i Italisë u shpreh shumë i impresionuar nga rezultatet e policisë shqiptare në këto muaj. Dy ministrat, në takimin e tyre kokë më kohë, ranë dakord për të forcuar më tej bashkëpunimin në luftën kundër trafikut të drogës.

“Italia është e gatshme të ofrojë asistencë për luftën kundër kultivimit të drogës”, tha ministri Alfano gjatë takimit. Ndërsa ministri Tahiri u shpreh se qeveria shqiptare është e angazhuar për një luftë pa kompromis kundër këtij fenomeni, duke theksuar se siguria e një vendi do të thotë edhe më shumë siguri për gjithë vendet fqinje dhe rajonin.

Ministri Alfano tha se përkrah Shqipërinë në procesin e integrimit europian dhe se do të lobojë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

Më tej, ministri Tahiri e ftoi homologun italian për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u mirëprit nga zoti Alfano i cili premtoi se kjo vizitë do të realizohet së afërmi.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi pati takime me drejtues të lartë të policisë italiane, ku u disktuan aspekte të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve në të dy anët e kufirit.

Top Channel