Numri i vajzave dhe grave të dhunuara  vazhdon të jetë i lartë dhe këtë e dëshmon edhe numri i kërkesave në rritje për marrjen e tyre në mbrotje.

Niveli i ulët arsimor, mungesa e një vendi pune, por edhe mentaliteti janë disa nga shkaqet kryesore që po çojnë në shkaktimin e dramave të njëpasnjëshme. Ekspertja e komitetit për eleminimin e diskriminimit Pramila Patten tha se në Shqipëri kërkohet një angazhim më i madh në zbatimin e ligjit për çështjet që janë në gjyqësor dhe të punohet më shumë për punësimin e grave.

“Jam shumë e kënaqur me progresin e arritur deri më tani, por sigurisht që ka sfida që lidhen kryesisht me dhunën nga grave dhe problemi i gjykimit të këtyre çështjeve nga drejtësia dhe zbatimi i ligjit sic duhet ta përmirësojë këtë problem. Më shumë punë duhet bërë në punësimin e grave dhe edukimi i tyre do të sillte më shumë punësim. Në çështjen e punësimit do të kërkohej më shumë angazhim me biznesin privat dhe një pjesë e grave punojnë në punë të paguara shumë pak ndaj kërkohet të shikohet si sfidë”, thotë  Zv/Kryetarja e Komitetit për Eliminimin e Diskriminimit kundër Grave e OKB-së, Pramila Patten.

Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj tha se për herë të parë në Kodin e Punes do të vendoset që një burrë e një grua për të njëjtën punë duhet të paguhen njësoj si dhe do të kërkohet zaptimi i ligjit për cdokënd që dhunon një grua apo një vajzë.

“Sistemi i ri na mundëson që të kemi një punonjës social dhe staf nga Ministria që gjurmon secilën cështje për t’u siguruar që ka penalizme dhe ligji, i ka penalizimet, por problemi është asnjëherë nuk kanë shkuar cështjet deri në fund, përvecse në rastet kur është ndjekur nga media. Kështu që me qeverinë e re, me këtë mekanizëm të raportimit online kemi korigjuar këtë proces për t’i dhënë një sinjal meshkujve të dhunshëm, që jo vetëm do të humbasin paratë e ndihmës ekonomike, por do të dënohen ashtu sic e parashikon ligji”, thotë Veliaj.

Ministri Veliaj ka mbështetur nismën e fundit të ndërmarrë nga Top Channel për ndaljen e vrasjeve të vajzave.

Top Channel