
Kryetari i Aleancës Kuqezi ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, i cili sipas kryetarit Kreshnik Spahiu nuk është në përputhje me parimet kushtetuese.
“AK ka marrë përsipër të çojë në Kushtetuese Kodin Zgjedhor. Nëse duam të realizojmë zgjedhje të mira, sikurse bëri Kosova që është një vend në tranzicion, duhet t’i përgjigjemi Kushtetutës. Kodi aktual është në shkelje me këtë”, ka thënë Spahiu.
Ai ka argumentuar se, populli shqiptar duhet t’i zgjedhë vetë emrat e përfaqësuesve të tij në Parlament dhe jo t’ia imponojnë partitë, sikurse ndodh me kodin aktual.
“Pas 10 muajsh do kemi zgjedhjet lokale. Ne synojmë të amendojmë ato dispozita, ku një deputet del me 4 mijë vota dhe tjetri me 15 mijë. Kërkojmë ndryshimin dhe realizimin e zgjedhjeve të pushtetit lokal me balotazh, sikurse u zgjodh Shpend Ahmeti në Prishtinë”, ka nënvizuar Spahiu.
“Është e nevojshme që kodi të ndryshohet dhe që populli të zgjedhë përfaqësuesit e tij legjitim dhe jo lista me deputetë të emëruar nga kryetarët e partive, disa prej të cilëve janë edhe të kërkuar nga Interpoli”, ka shtuar kreu i Aleancës Kuqezi.
Top Channel