
Partia Demokratike ka denoncuar të martën një tjetër rast të emërimeve kriminale të bëra sipas saj nga qeveria, duke ia atribuuar përgjegjësinë drejtuesit të saj Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Laura Vorpsi i është referuar një personi të dënuar për korrupsion nga gjykata e rrethit të Kavajës e që tani është emëruar në një post të rëndësishëm të administratës.
“Rreth një muaj më parë Gjykata e Kavajës dha vendimin për Skerdilajd Dalipin, duke e dënuar me 6 muaj burg për shpërdorim detyre në bashkëpunim.
Edhe gjatë procesit, por edhe pas dhënies së vendimit, i akuzuari për korrupsion është caktuar për të mbrojtur interesat e shtetit, në zyrën e Avokatit të Shtetit për Durrësin.
Ky është modeli i Edi Ramës për administratën publike. Ai ia besoi avokaturën e shtetit për Durrësin një personi që ishte nën gjykim për korrupsion dhe vazhdon t’ia besojë këtë zyrë të rëndësishme të shtetit edhe sot pas vendimit të gjykatës, që e ka dënuar me 6 muaj burgim.
Kjo është etika e Edi Ramës. Kjo është marrëdhënia e tij me korrupsionin. Kjo është rilindja e shtetit”, ka deklaruar Vorpsi.
Akuzat E PD-së, reagon Avokatura e Shtetit
Pas akuzave të Partisë Demokratike reagoi institucioni i Avokaturës së Shtetit që thekson se në bazë të dëshmisë së penalitetit, në kohën e emërimit në detyrë, por edhe sot, zoti Skerdilajd Dalipi është i padënuar.
Në një njoftim për shtyp, thuhet se edhe pse në prill të këtij viti është dhënë një vendim nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas vendimi është pezulluar, zoti Skerdilajd Dalipi ka dhënë dorëheqjen në maj të këtij viti.
Avokatura e Shtetit thekson se çështja është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit dhe deri në dhënien e një vendimi nga kjo gjykatë, zoti Dalipi konsiderohet i pafajshëm.
Top Channel