Nishani takon Emirin e Katarit

10/06/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, së bashku me një delegacion zyrtar po zhvillon një vizitë në Katar, ku është pritur nga Emiri i këtij shteti, Sheik Tamin Bin Hamad Bin Khalifa Al Thani.

Sipas njoftimit të presidencës, Emiri i Katarit u shpreh gjatë takimit se, harmonia dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri përbëjnë një eksperiencë që i duhet bërë e njohur gjithë botës si model për t’u ndjekur.

Më tej ai tha se Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm për Katarin dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të forcohen më tej. “Duam të investojmë në Shqipëri dhe jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në të gjitha format”, theksoi sheiku.

Nga ana e tij, presidenti Nishani tha se Shqipëria dhe shqiptarët i janë mirënjohës Katarit për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë dhe i kërkoi bashkëbiseduesit që ta konsiderojë Shqipërinë si vend kontribues dhe mbështetës për çdo nismë të kësaj natyre.

Më tej, presidenti nënvizoi se ka ardhur koha që bashkëpunimi mes dy vendeve dhe projektet e përbashkëta të konkretizohen në praktikë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta