Lushnje, stuhia shkakton dëme

10/06/2014 00:00

Breshëri dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në serat dhe të mbjellat e zonës së Myzeqesë.

Më të prekura dhe të dëmtuara kanë qenë komunat Allkaj dhe Krutje, ku kalimi i furtunës ka shkaktuar mjaft dëme ekonomike për fermerët e zonës.

Sipërfaqe të tëra të mbjella me grurë i cili është gati për t’u korrur janë dëmtuar. Dëmi ekonomik llogaritet të jetë tepër i madh në prodhimin e pritshëm për fermerët në kulturën e grurit dhe vreshtarisë.

Të prekura kanë qenë edhe ndërtimet dhe linjat e energjisë elektrike në komunën e Krutjës. Erërat e forta kanë thyer edhe shtyllat e betonit dhe kanë rrafshuar sipërfaqe të tëra të mbjella me kultura të ndryshme duke e çuar në zero prodhimin.

Nga ana e komunës është ngritur një grup pune për verifikimin e dëmeve, ndërsa shtabi i emergjencave në prefekturën e Lushnjes i kryesuar nga nënprefekti Ilir Dervishi po vendosin kontakte me të gjitha komunat e prekura për të evidentuar dëmet e shkaktuara në ekonomitë fermere.

Top Channel