Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ rimerr njoftimet mbi bllokimin e mundshëm të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nga Çekia për shkak të veprimeve kundër CEZ-it (70% në pronësi të shtetit çek) duke cituar pohimet e sekretarit për çeshtjet e BE-së, Tomas Prouza.

Deklarata e tij i jep tjetër ngjyrim situatës. “Duhet marrë parasysh se statusi i vendit kandidat nuk mbështetet vetëm në një çështje të caktuar. Megjithatë ka disa rregulla bazike të bllokut, të cilat çdo vend duhet t’i zbatojë”, thotë Prouza.

‘Reuters’ megjithatë thekson se nuk i ka verifikuar raportet në media e për pasojë nuk garanton saktësinë e tyre. Agjencia çeke e lajmeve ‘CTK’ citoi një ditë më parë burime pranë BE-së të pohonin se Republika Çeke po përgatitet të bllokojë dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë për shkak të CEZ-it.

Por vetë zëdhënësja e kompanisë energjitike çeke, Barbora Pulpanova nuk ka bërë asnjë koment mbi qëndrimin e ekzekutivit. Në fund të vitit të kaluar, Shqipëria i hoqi CEZ-it liçencën dhe firma kërkoi arbitrazh ndërkombëtar për mosmarrëveshjet e saj me Tiranën.

Në fillim të qershorit, Komisioni Europian rekomandoi që vendi ynë ta marrë statusin për shkak të progresit të bërë, por fjala e fundit i takon Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian.

Burime të CTK-së pohojnë se Praga e kritikon faktin që bisedimet mes Tiranës dhe CEZ-it në Vjenë nuk çuan asgjëkundi, ndaj dhe i kanë dërguar një sinjal kohë më parë duke lënë të kuptohet se sherri mund të ndikojë tek statusi që nuk mund të merret pa aprovimin e të 28 vendeve anëtare të bllokut.

Sidoqoftë, kjo është një çështje që pritet të negociohet, thotë agjencia në fjalë, e cila shton se qeveria çeke do ta përdorë veton e saj vetëm si mjetin e fundit që ka në dorë për zgjidhjen e ngërçit. Vetëm një ditë më parë, kryeministri çek Bohuslav Sobotka deklaroi se vendi i tij në përgjithësi e mbështet anëtarësimin e shteteve të Ballkanit në BE.

“Në këtë kontekst, Republika Çeke do të jetë padyshim e interesuar në mbrojtjen e investimeve të huaja në Shqipëri, në stabilitetin e mjedisit të biznesit dhe luftës kundër terrorizmit”, është shprehur Sobotka.

Megjithatë, ai nuk ka harruar të theksojë se çdo vendi që i jepet statusi kandidat duhet të përmbushë të gjitha kriteret e nevojshme. CEZ-i ka pasur një sërë problemesh në rajon dhe rrezikon gjithashtu të humbasë dhe liçencën në Bullgari.

Top Channel