Tatimet: Tregu i Lezhës, tërësisht informal

09/06/2014 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë se bizneset, që kanë aktivitet në tregun e Lezhës, prej vitesh janë toleruar në paligjshmëri, duke mos paguar asnjë taksë në shtet.

“Ai treg atje ka 10-11 vjet që ekziston dhe nuk është paguar asnjë tatim apo taksë, me përjashtim të një pagese që ata bëjnë për pushtetin vendor, por që ybë di ta quaja një lloj qiraje për vendin e biznesit që ata kanë. Përkundrazi, për kushtet që u janë krijuar, ata paguajnë një mini-qira, që në mos gabohem është 2 mijë lek të reja në muaj”, tha Flobens Dilaveri, zv/drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.

Pak ditë më parë, Tatimet ndërmorën një aksion, për t’i regjistruar 360 subjektet e tregut të Lezhës në Drejtorinë Rajonale të Taksave. Por, tregtarët refuzojnë, pasi – sipas tyre – nuk mund t’i përballojnë dot taksat që u kërkohen, me të ardhurat minimale që kanë.

“E kemi ndjekur këtë praktikë edhe në tregjet e tjera të vendit, nuk ka pasur të tillë acarimi apo lloj konfliktualiteti, i cili në logjikën tonë i ka kaluar përmasat e njerëzores, pasi janë një grup individësh në vitin 2014, që bëjnë rezistencë dhe presion për të mos paguar asnjë tatim apo taksë”, shtoi më tej zoti Dilaveri.

Tatimet thonë se çështja po përdoret politikisht. Duke i kërkuar deputetëve të qëndrojnë larg, Dilaveri thekson se Administrata është e vendosur t’i shkojë deri në fund zbatimit të ligjit.

“Administrata është e vendosur të luftojë informalitetin në të gjithë Shqipërinë dhe nuk bën dallime. Edhe në këtë rast nuk ka pasur asnjë dallim, është një situatë normale, e cila realisht u kthye në anormale nga interesa të caktuara”, theksoi Flobens Dilaveri.

Sipas Dilaverit, detyrimi total, që këto subjekte duhet të paguajnë, përfshirë sigurimet, është minimal, vetëm 200 lekë në ditë.

Lezhë, protesta e tregtarëve
“Verifikuam disa qytete, vetëm neve na kërkojnë licencë”

Në tregun e qytetit të Lezhës vijon protesta e tregtarëve, që refuzojnë kërkesat e zyrës së Tatimeve për t’u licencuar.

Ndërkohë, tregu qëndron i mbyllur dhe në të janë shpërndarë njoftimet e zyrës së Tatimeve, që nëse punohet pa licencë do bëhet sekuestrimi i të gjithë mallrave.

Tregtarët kundërshtojnë dhe po protestojnë, duke qëndruar pa pushim brenda ambienteve të këtij tregu. Disa prej tyre kanë pasur edhe probleme shëndetësore.

Ndërkohë, gjatë ditës së hënë, disa prej tregtarëve të vegjël në Lezhë thonë se kanë verifikuar gjendjen e tregjeve me pakicë të Lushnjës, Fierit, Durrësit dhe Beratit. Sipas tyre, ky aksion që kërkon licencimin, po bëhet vetëm në qytetin e Lezhës.

Tregtarët kërkojnë që të vijojnë punën deri në fund të këtij viti në këtë mënyrë, ndërkohë të monitorohen për të parë nëse kanë fuqi të paguajnë edhe taksat e të licencohen.

Top Channel