Andrea Stefani – Më bëri përshtypje fakti që në një artikull të para disa ditëve të Financial Times (FT) mbi marrjen e rekomandimit për statusin kandidat, Republika e Shqipërisë cilësohej si “shtet i varfër kryesisht mysliman”.
Që jemi shtet i varfër i dimë po “kryesisht mysliman” është një kualifikim absurd. E dimë që, sipas Censusit të vitit 2011, rreth 56% e shtetasve i përkasin besimit mysliman, ndërsa pjesa tjetër besimit bektashi si dhe atij të krishterë të ndarë në katolikë dhe ortodoksë. Por kjo shumicë myslimane nuk e bën shtetin “kryesisht mysliman”. Sepse shteti (Republika e Shqipërisë në rastin konkret) është shekullar, asnjanës në çështjet e fesë. Kështu shkruhet në Kushtetutë ku shtohet edhe se shteti njeh barazinë e besimeve fetare. Atëherë si, edhe barazi edhe “kryesisht”?! Është naivitet dhe injorancë të mendosh se natyra e shtetit ndikohet nga feja e shumicës së shtetasve të tij ashtu si ngjyra politike e pushtetit nga shumica e votave të zgjedhësve. Një shtet laik mund të jetë i përbërë nga një shumicë dërrmuese besimtarësh të një feje dhe të mos e reflektojë fare një fakt të tillë. Dhe nuk duhet ta reflektojë. Sepse shteti shekullar e transhendon besimin. Mbron lirinë e besimeve po është edhe i lirë prej tyre.
***
Po pranuam që shteti është kryesisht kështu apo ashtu, duhet të pranojmë që është edhe jo kryesisht kështu e ashtu. Pra “FT” mund të shkruante edhe që Republika e Shqipërisë është një shtet “jo kryesisht i krishterë”. A nuk tingëllon absurde?! Por, po aq absurd është edhe cilësimi “kryesisht mysliman”! Sepse shteti nuk është centaur apo minotaur. Kokën mysliman dhe turpin e krishterë. Apo anasjellas. Pra, Republika e Shqipërisë, si organizim politik, nuk është as myslimane, as e krishterë. Nuk ka natyrë fetare. Është një shtet shekullar. Shtetasit e kësaj Republike i përkasin disa besimeve fetare prandaj ajo promovon bashkëjetesën mes tyre dhe harmoninë! Asnjëri nga besimet, pavarësisht përqindjes, nuk e dominon apo i jep tonin politikës së shtetit. Politika dhe feja, qeverisja dhe besimi janë të ndara nga njëra-tjetra. Politika dhe qeverisja nuk ndërhyjnë në punët e fesë duke i çmuar atë si përmasë të lirisë së njeriut dhe çështje private të tij, ndërkohë që as feja nuk ndërhyn në punët e politikës apo të qeverisjes. Ndërsa kualifikime të tilla, si ky i fundit në artikullin e FT, ushqejnë jashtë Shqipërisë paragjykime ndërsa brenda saj, diferencimin dhe divizionizmin.
***
Ca kohë më parë, Kryeministri britanik, David Kameron, u kritikua nga 50 emra të shquar, përfshirë nobelistë, se po promovonte përçarjen në Britani ngaqë në fjalime publike e kish keqpërkufizuar Britaninë si “vend kristian”. Dhe i kujtonin Kameronit se Britania është formësuar edhe nga forca para-kristiane, jo-kristiane dhe pas-kristiane. Dhe mendoj se kishin plotësisht të drejtë. Britania është shtet i shoqërisë së hapur prej dekadash e ndikuar dhe formësuar nga flukse të fuqishme të globalizmit dhe lëvizjeve migratore. Madje jo vetëm Britania, por as edhe vetë Europa e Bashkuar nuk mund të cilësohet kristiane, si dikur në Mesjetë. Ajo nuk është më e tillë sepse në filozofinë, në Kushtetutën e saj dhe të të gjithë shteteve anëtare, sanksionohet pluralizmi dhe bashkëjetesa fetare. Pavarësisht kontributit që feja e krishterë dhe morali i saj kanë dhënë në formësimin e qytetërimit perëndimor, nuk ka më një Europë të krishterë. Ka vetëm një Europë shekullare, të shoqërisë së hapur, të lirisë së besimeve dhe të respektit për to si shprehje e shenjtërimit të lirisë së njeriut.
***
Po ashtu nuk ka as një shtet shqiptar kryesisht mysliman, apo kryesisht të krishterë. Ka vetëm Republikë të Shqipërisë ku edhe për traditë historike të kombit, por edhe për shkak të praktikës shekullare, mbizotëron klima e barazisë dhe harmonisë mes besimeve fetare. Askush në shtet nuk privilegjohet, por as diskriminohet për shkak të besimit. Shumica e shqiptarëve vazhdojnë ta trajtojnë besimin si çështje private, të shtëpisë, por jo të shtetit. Kuptueshëm, përforcimi i konotacioneve fetare në përplasjen globale politike pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ka nxitur gjakimet për injektimin e esencave fetare në politikë, qeverisje dhe institucionet e shtetit edhe në Shqipëri. Gjakimeve të tilla i kontribuojnë edhe artikuj si ai i gazetës Financial Times me përkufizimet e tyre vërtet “ekzotike” për lexues perëndimorë, por të pasakta në raport me të vërtetën dhe të dëmshme në raport me mirinformimin publik. Sot po dëgjohen gjithnjë e më fort zëra për krijimin e partive politike fetare. Tendenca që, për kombe me pluralitet fetar si Shqipëria, bartin rreziqe të mëdha si për natyrën shekullare të shtetit, ashtu edhe për pluralitetin harmonik mes feve. Pas tendencave të tilla përgjon me hanxhar në dorë përçarja e tmerrshme fetare që shqiptarët historikisht kanë ditur ta shmangin më së shumti me sukses! Duket se po afrohemi me shpejtësi drejt momentit kur qëndrueshmëria e harmonisë mes feve, kjo traditë dominuese mes shqiptarëve, do të vihet në provë. Shqiptarët duhet të tregojnë se edhe pse janë të lirë të shkojnë në kisha apo xhamia, të lirë të besojnë a mos besojnë fetë internacionale, në fund të ditës, “feja” e tyre kombëtare dhe përbashkuese do të mbetet, si nëpër shekuj, shqiptaria!
Top Channel