Ndalimi i zhurmave të natës

09/06/2014 00:00

Dhjetra qytetarë çdo ditë kërkojnë ndihmën e Ministrisë së Mjedisit për mbylljen e lokaleve, të cilët qëndrojnë hapur deri në orët e para të mëngjesit.

Edhe pse ligjërisht ato duhet të mbyllen në orën 23:00, një pjesë e madhe qëndrojnë hapur, duke shkaktuar një revoltë të madhe te banorët, të cilët e kanë të pamundur të qetësohen në banesat e tyre.

Inspektori i Ministrisë së Mjedisit, Ergys Agasi, tha se janë gjobitur 150 subjekte me 50 mijë lekë dhe, këtë javë, do të bëhet revokimi i lejes së mjedisit.

“Ankesat e qytetarëve, sidomos në kryeqytet, janë të shumta dhe të vazhdueshme, sa i përket ndotjes akustike në pjesët më të banueshme dhe lagjet e Tiranës, veçanërisht me muzikë live. Janë mbi 100 subjekte që janë gjobitur gjatë javëve të para nga Inspektoriati i Tiranës, ndërsa këtë javë do të kemi propozimin për revokimin e lejeve mjedisore, me të cilat ata janë pajisur nga periudha e mëparshme”, tha Ergys Agasi.

Tirana dhe Durrësi mbeten dy qytetet më problematike, ku ndotja akustike shkon në mbi 100 decibel, nga 40 që është norma e lejueshme.

Në datën 27 Qershor, Ministria e Mjedisit, përmes “Task-Forcës” së ngritur, do të nisë inspektimin në të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil.

Top Channel