F1, Alonso: Jemi të ngadaltë

09/06/2014 00:00

Fernando Alonso nuk ishte aspak i kënaqur me garën e tij në Cmimin e Madh të Kanadasë, ku përfundoi në vendin e gjashtë.

“Ishte një garë e vështirë. Nuk ishim të shpejtë, sidomos në pjesët e drejta. Arritëm të merrnim disa pikë, por kemi humbur shumë ndaj Red Bullit në klasifikimin e Konstruktorëve. Tashmë, objektivi im personal është të përfundoj garën para shokut tim të skuadrës dhe të iki në shtëpi”, tha spanjolli i Ferrarit.

Në lidhje me mundësitë që Ferrari të fitojë të paktën një garë këtë sezon, Alonso nuk i humb shpresat: “Në Formulën 1 nuk i dihet kurrë. Pas testimeve të dimrit askush nuk e priste që Red Bulli të fitonte ndonjë garë, por ja ku fitoi. E rëndësishme është që të arrijmë të bëjmë një garë me të gjithë potencialin tonë dhe nëse na jepet rasti për të fituar, ta shfrytëzojmë atë.”

Alonso humbi dy pozicione në fund të garës, një situatë që e shpjegoi kështu: “Në xhiron e fundit, në kthesën numër 10, unë dhe Hulkenberg ishim rrotë më rrotë dhe Button përfitoi duke na parakaluar të dyve. Më pas, në pjesën e drejtë Nico më parakaloi sërish.”

Top Channel