Protestat e tregtarëve në Lezhë

08/06/2014 00:00

Tregtarët që kundërshtojnë mbylljen e tregut të Lezhës kanë hyrë në ditën e pestë të ngujimit brenda ambienteve të këtij tregu. Vendimi për të mos i lejuar të vijojnë aktivitetin e tyre është marrë nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve pasi tregtarët refuzuan regjistrimin pranë tatimeve si biznes i vogël.

Gjatë ditës një përfaqësi e tyre u takua me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, të cilit i parashtruan kërkesat e tyre, një prej të cilave është shtyrja e afatit të mbylljes së tregut sipas kontratës së fillimvitit. Ata kundërshtruan zgjidhjen e paraqitur nga Tushaj për bashkimin e tyre fizik dhe më pas regjistrimin.

E vetmja pikë ku ranë dakord ishte që kryebashkiaku Tushaj të jetë ndërmjetës në paraqitjen e kërkesave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

“Ata janë rreth 360 tregtarë, por pas tyre janë qindra familjarë që mbajnë frymën gjallë me këtë aktivitet. Do filloj tratativat me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të gjetur mundësinë e shtyrjes së afateve, apo liçencimin me një tarifë më të vogël”, deklaroi Tushaj.

Ndërkaq, një tjetër grua është dërguar në spital pasi ka humbur ndjenjat. Drejtori i spitalit të Lezhës, Nevruz Bara ka vendosur asistencën e mjekut pranë tregut.

Sipas tij, gjendja e të ngujuarve nuk është e keqe por ka shenja të lodhjes, ndërsa temperaturat e larta janë shkak i problemeve të tyre me shëndetin.

Top Channel