Drejt një reforme historike

08/06/2014 00:00

Bledi Çuçi – Në 15 shtatorin e vitit të shkuar, së bashku me lindjen e qeverisë së re të Edi Ramës, për Shqipërinë hapej një erë e re ndryshimi e reformash. Mes tyre, reforma territoriale është padyshim një sfidë me një impakt të konsiderueshëm për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Reforma administrative-territoriale nuk ndodh në një terren shterpë.

Shumica e dalë nga zgjedhjet plebishitare të 23 qershorit, e ka pasur edhe në të shkuarën vullnetin për të nisur një reformë tërësore të qeverisjes vendore, në të gjitha nivelet e saj. Historia politike e të majtës shqiptare, është ndër të tjera, edhe dëshmia e një vullneti konstant për të sjellë vazhdimisht modele të përshtatshme duke synuar përmirësime në menaxhimin dhe funksionimin e pushtetit vendor në Shqipëri, me të vetmin qëllim, rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Nga ana tjetër, në të njëjtin trend kanë ecur edhe pothuajse të gjitha vendet europiane, të cilat kanë kryer në vitet e fundit, reforma të thella në drejtim të përshtatjes së qeverisjes lokale, ndaj fenomeneve të tilla si urbanizimi, zhvendosjet e popullsive dhe rritja e eficiencës dhe standardeve të shërbimit ndaj zgjedhësve. Sot, bota demokratike e ka kuptuar drejt dhe në mënyrë racionale, impaktin që qeverisja lokale ka në cilësinë e jetës së njerëzve dhe standardin e demokracisë. Ky është edhe shkaku parësor se përse nisma e mazhorancës së majtë u mirëkuptua, u mbështet politikisht dhe financiarisht dhe gjeti te partnerët ndërkombëtarë, faktorin bazë të avancimit të një reforme të tillë komplekse dhe ambicioze, siç është reforma administrative-territoriale.

Kjo qeveri dhe shumica politike solide që qëndron pas saj, e kanë shprehur qysh në krye të herës nevojën për t’i dhënë jetë një procesi reforme, që të jetë tërësor e gjithëpërfshirës. Këtij angazhimi i shërbeu ngritja, më 23 janar, e komisionit parlamentar ad-hoc, të reformës territoriale. Marrja në dorë e procesit nga Kuvendi i Shqipërisë, zgjedhja e një komisioni me karakter bipartizan, me bashkëkryesi dhe me të drejtë veto nga pakica, i jepte këtij formati premisat më të fuqishme për të punuar së bashku, në koordinim të plotë mes krahëve dhe duke bashkërenduar propozimet, pikëpamjet dhe idetë e secilës palë. Për tre muaj me radhë, mazhoranca priti me durim që opozita të merrte përgjegjësinë dhe pjesën që i takonte në proces, në përfaqësim të elektoratit të saj, që, jam i bindur, është gjithaq i interesuar për këtë reformë madhore. Pritëm që opozita të sillte propozimet e saj, të ofronte ekspertizën e saj, në një proces që realisht kërkon kontributin e të gjitha mendjeve, përvojave, kapaciteteve profesionale, më të mira që ka sot Shqipëria.

Vullneti ynë për të pasur në tryezë edhe opozitën nuk është shpërblyer deri tani. Më 24 prill, afati tremujor i punës së komisionit skadoi dhe na u desh të lëvizim përpara, për të zhbllokuar një situatë kolapsi. Ka qenë një vendim që na e diktonte koha dhe nevoja urgjente për të ndërmarrë hapat e domosdoshëm drejt ndryshimit të një sistemi të kalbur, joefektiv dhe të korruptuar të qeverisjes vendore. Duke nënvizuar sërish se do të kishte qenë optimale që ta kishim edhe opozitën në tryezën tonë të punës, dëshiroj të kujtoj se këmbëngulja e pakicës për karakterin bllokues të vetos së saj, është thjesht pa kuptim. Shumë nga vendet e zhvilluara europiane, përfshirë Gjermaninë, Holandën, Irlandën etj., e kanë kryer këtë reformë duke e votuar me shumicë të thjeshtë në Parlament paketën e ndryshimeve përkatëse.

Gjatë javëve të fundit, pas nisjes së punës së komisionit parlamentar, kemi marrë së bashku me kryetarin e komisionit z.Bashkim Fino, një tur kontaktesh me përfaqësues të pushtetit vendor në të gjithë vendin, me ekspertë, grupe interesi, shoqata e institute që ofrojnë ekspertizë në fushën e menaxhimit të qeverisjes vendore. Morëm prej tyre propozime konkrete, ide, kërkesa dhe këshilla, për të përvijuar më mirë projektin e nisur. Puna jonë u bazua në këto prurje të vlefshme, si dhe në kriterin e identifikimit të atyre që i kemi quajtur “zona funksionale”, të cilat janë në fakt hapësira territoriale, ku komunitetet kanë dëshmuar historikisht bashkëveprim të dendur mes vetes nga njëra anë, por edhe me institucionet, për motive ekonomike, sociale e kulturore. Duhet të them se këto janë parimet bazë në të cilat janë bazuar në të shkuarën e afërt reforma të ngjashme, në shumë nga vendet europiane.

Para pak ditësh, paraqitëm para deputetëve të mazhorancës, pesë variantet mes të cilave do të zgjidhet edhe formati përfundimtar i reformës territoriale. Nga ky takim u konkludua se dy prej varianteve, ai me 39 bashki dhe tjetri me 47 bashki, janë më të përshtatshmit, për sa u takon specifikave të komuniteteve, ndërveprimeve ekonomike dhe institucionale që ato kanë, kohezionit të tyre, nevojave konkrete të menaxhimit dhe të performancës së shërbimit të ofruar etj.

Mendoj se ndodhemi tashmë në një pikë të kënaqshme, me gjithë vonesën e akumuluar nga bllokimi në fillim të vitit. Ka ende kohë për opozitën, që të bëhet pjesë e procesit, në javët e mbetura deri në fund të këtij sesioni të Kuvendit të Shqipërisë. Kur do të jetë edhe momenti i aprovimit të paketës tërësore të reformës, për t’i dhënë kështu Shqipërisë një mekanizëm të ri ligjor për menaxhimin e pushtetit vendor. Pak javë na ndajnë nga ky moment, që do të shënojë një etapë të re ndryshimi historik, për njërën ndër qeverisjet bazë të shtetit demokratik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA