
I lumtur për humbjen. Qershorin e 1944-s, ushtari gjerman Helmut Roemer ishte vetëm 18 vjeç dhe i pari që u përball me fillimin e zbarkimit aleat në Normandi.
Roemer nuk ishte në buzë të detit, por më thellë në tokë natën përpara se të gdhinte 6 qershori, kur mësymjen e nisi divizioni i parë i parashutistëve britanikë.
Atë mbrëmje ai ishte roje në urën Pegasus, një detyrë rutinë që në mënyrë të befasishme do të merrte pamje krejt tjetër. Gjëmimi i fortë që kishte dëgjuar nuk ishte rrëzimi i një avioni, siç mendoi fillimisht.
Misterin e zbuluan shumë shpejt trupat britanike me fytyrat e lyera në të zezë që hapnin zjarr. Roemer nuk ishte hero: ai bërtiti, shtiu një herë e pastaj ia mbathi me të katra që të shpëtonte kokën.
Së bashku me dy ushtarë të tjerë gjermanë u fshehën nëpër shkurre për aq kohë sa mundën, duke pirë ujë kanali e pa ushqime. Por pas 36 orësh nuk rezistuan më e u dorëzuan.
“Ishim të mbaruar, iu drejtuam trupave britanike me idenë që ose do të na qëllojnë, ose do të na marrin rob”, rrëfen ai. Sigurisht, ndodhi kjo e fundit dhe periudhën dyvjeçare që kaloi në robërinë e tyre, Roemer e përshkruan si “kamp pushimesh”.
“Ushtarët britanikë ishin shumë miqësorë. Na vinin të këndonim këngë gjermane, na mësuan anglisht. Universiteti i Kembrixhit kishte organizuar kurse për robërit e luftës”, vijon tregimin 88-vjeçari.
Bashkë me dy shokët e tij u dërguan me anije përmes Atlantikut në Nova Skotia e pas kësaj përshkuan Kanadanë me tren, përpara se të vendoseshin në një kamp pranë Kelgerit.
Atje, thotë Roemer, ishte një mrekulli. Koncerte, muzikë, lojra, ushqim, pushime siç nuk kisha parë ndonjëherë. Në 1947-ën, të ushqyer e më mirë të arsimuar, robërit u kthyen në Gjermani me cigare e kafe, lukse të paimagjinuara për kohën dhe vendin.
Sot ai reflekton mbi ditën e zbarkimit e ngjarjet që e pasuan dhe thotë se ajo që dukej si fatkeqësi për momentin, në fakt ishte një fat i madh jo vetëm për të, por edhe për Gjermaninë. “Ishte një mposhtje, që në të njëjtën kohë nënkuptonte çlirim”, vijon Roemer.
Top Channel