Putin-Poroshenko, gati t’i japin fund tensioneve

06/06/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i zgjedhur i Ukrainës, Petro Poroshenko, bënë thirrje që t’i jepet fund gjakderdhjes në Lindje të Ukrainës.

Dy udhëheqësit u takuan për herë të parë, prej zgjedhjes së Poroshenkos, gjatë ceremonisë me rastin e “Ditës-D” në Francë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “gjatë bisedës së shkurtër, si Putin ashtu dhe Poroshenko bënë thirrje për t’i dhënë fund gjakderdhjes në juglindje të Ukrainës, si dhe veprimtarisë ushtarake nga të dy palët. Gjithashtu u konfirmua se nuk ka alternativë tjetër për t’i dhënë zgjidhje situatës, veç mjeteve paqësore politike”.

Një zyrtar francez tha se “bisedimet u përqendruan në masat e mundshme për të ulur tensionet, përfshirë edhe faktin se si Moska do të njohë Poroshenkon. Gjithashtu u fol edhe për detajet e një armëpushimi në ditët e ardhshme”.

Më vonë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe presidenti amerikan, Barack Obama, patën një takim jozyrtar që zgjati nga 10-15 minuta.

Gjermania po tregohet e kujdesshme për të shtuar sanksionet kundër Rusisë. Sanksionet janë vendosur nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në muajin Mars.

* Takimi është zhvilluar në prani të kancelares gjermane Angela Merkel. Merkel tha më herët se Rusia ka përgjegjësi të mëdha për paqen në Ukrainë, duke shtuar se me zgjedhjen e Poroshenkos ka ardhur koha për stabilitet dhe dhënies fund të krizës.

Presidenti rus mohon përfshirjen e Moskës në luftimet në lindje të Ukrainës, megjithëse Ukraina dhe perëndimi këmbëngulin se mes separatistëve ka luftëtarë rusë.

Në takimin e G7, kancelarja Merkel deklaroi se sanksionet të mëtejshme ndaj Rusisë do të ndërmerren vetëm nëse nuk ka progres në çtensionimin e situatës. Të enjten Putin u takua vecantë me kancelaren Merkel dhe kryeministrin britanik, David Cameron, por mungoi ai me presidentin Barack Obama.

“Status quo-ja e situatës aktuale është e papranueshme e duhet të ndryshojë. Rusët duhet ta njohin presidentin e ri të Ukrainës e të bashkëpunojnë me të. Na nevojitet një çtensionim i gjendjes dhe kalimi i armëve dhe njerëzve përtej kufirit duhet të marrë fund”, tha Cameron.

Top Channel