Shirat ekstremë në Indonezi vrasin 58 orangutanë Tapanuli, studiuesit paralajmërojnë rrezik të lartë zhdukjeje Presidenti francez Francois Hollande i nisi ceremonitë përkujtimore të 70-vjetorit të “D-Day”, zbarkimit të forcave aleate në Normandi të Francës, me homazhet e bëra atyre që dhanë jetën në ditën që ndryshoi rrjedhën e historisë.
Ai mori pjesë në shërbesën e mbajtur në afërsi të Bayex, bashkë me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama. Për kreun e Elizesë, çdo ushtar që mori pjesë në “Ditën D” ishte një hero.
“Franca nuk do ta harrojë kurrë se çfarë i detyrohet atyre që dhanë jetën për ne. Kjo ditë, që nisi në kaos e zjarr, e përfundoi në gjak, lot e dhimbje, ishte dita që ndryshoi botën dhe e bëri Normandinë pjesë të përhershme të historisë”, tha Hollande.
Presidenti Obama u shpreh se angazhimi amerikan për lirinë u shkruajt me gjak në brigjet franceze.
“Pohimet e Amerikës, angazhimi ynë ndaj lirisë, barazisë, dinjitetit të çdo qenieje njerëzore, janë shkruar me gjak në këto brigje dhe do të qëndrojnë të tilla në përjetësi”, theksoi Obama.
Mbretëresha Elizabetë vendosi një kurorë me lule në eventin e organizuar aty pranë.
Rreth 160,000 ushtarë nga Britania e Madhe, Kanadaja dhe SHBA-të zbarkuan në Francë brenda pak orësh, mëngjesin e 6 Qershorit të 7 dekadave më parë. Gjysma e tyre ishin amerikanë. E ashtuquajtura “D-Day” do të hynte në histori si “dita më e gjatë”.
Shumë vdiqën në ditën që shënoi kthesën e madhe drejt çlirimit të kontinentit të vjetër. Të mbijetuarit tregojnë se si Normandia u shndërrua në një fushë varresh. Çdokund kishte të vdekur, që duhet të identifikoheshin, thonë ata; një punë shumë e vështirë – siç thonë, – e cila duhej të kryheshe me korrektësi.
Dëshmorët e tyre, amerikanët i vunë të prehen në njërën anë të varrezës “La Cambe”, ndërsa gjermanët në anën tjetër. 6-7 vite më vonë u ndërtua varreza e madhe e ushtarëve në “Colleville-sur Mer” pranë plazhit Omaha.
Drejtuesit e muzeut të “D-Day” në Portsmouth e vendosin në 4,413 numrin e ushtarëve aleatë të vrarë në ditën e pushtimit, shifër kjo më e lartë nga sa mendohej deri tani.
Top Channel