Kur niste zbarimi historik i aleatëve

06/06/2014 00:00

Në ditën që ndryshoi botën, çlirimi duhej të niste nga ajri. Pak pas mesnatës së 6 Qershorit të vitit 1944, në Normandi mbërriten kontigjentët e parë të trupave aleate.

Ata ishin 24,000 parashutistë me detyrën që, para se të fillonte në të gdhirë zbarkimi i trupave nga deti, të vinin nën kontroll ura e pika të rëndësishme rrugore dhe të vendosnin sinjale drite për forcat ajrore. Por, plani nuk funksionoi sipas parashikimeve. Era e fortë i shtyu parashutistët në brendësi të Francës dhe, vetëm një e dhjeta e tyre arriti në kohë në zonën e frontit.

Gjermanët nuk i kushtuan vëmendje. Edhe në orën dy të natës, Gjeneralët e trupave të Hitlerit, të dislokuara në zonën e Atlantikut, e vlerësonin si jo shumë të rrezikshme situatën ushtarake. Realiteti ishte tjetër.

Mbrëmjen e 5 Qershorit, në brigjet e Anglisë ishte grumbulluar një ushtri e tërë, armata më e madhe e forcave detare dhe ajrore në historinë e luftërave. Duke shfrytëzuar errësirën e natës, u bë nisja drejt brigjeve franceze.

“Dita-D ishte një organizim ndërkombëtar, e jo thjesht amerikan. Në të merrnin pjesë edhe trupa britanike e kanadeze, si kontigjente më të vogla ushtarësh, norvegjezë, belgë, çekë dhe sllovakë”, thotë historiani ushtarak, Peter Lieb, në bisedë me “Deutsche Welle”.

“Më vonë u shtuan njësi nga Polonia, si dhe anije greke. Po ashtu ka pasur një kontigjent të vogël francezësh, si dhe trupa nga aleatët e vendeve të Komonuellthit. Kanadezët morën përsipër, me divizionin e tyre të 3-të, misionin për vijën bregdetare me emrin e koduar ‘Juno’”, tha ai.

Amerikanët dhe britanikët ishin padyshim aktorët kryesorë, por përfshirja e vendeve më të vogla ishte e nevojshme për t’i treguar botës se bëhej fjalë për një sipërmarrje universale: 4,200 varka zbarkimi, 1,200 luftanije, 155,892 ushtarë të vendeve aleate, nga 14 kombe, ishin në veprim në D-Day.

Beteja e Normandisë u kurorëzua në fund me sukses, por humbjet e jetëve njerëzore ishin të mëdha, sidomos në radhët e amerikanëve dhe britanikëve. Një pjesë e viktimave u mbytën, të tjerë i zuri deti e nuk ishin në gjendje të mbroheshin, ndërsa disa u vranë sepse tanket ngecën në rërë.

Top Channel