Shirat ekstremë në Indonezi vrasin 58 orangutanë Tapanuli, studiuesit paralajmërojnë rrezik të lartë zhdukjeje
Policia kanadeze deklaron se ka arrestuar personin e dyshuar për vrasjen e tre oficerëve të policisë dhe plagosjen e dy të tjerëve në Monkton të Nju Brunsuikut.
Autoritetet policore në këtë lokalitet postuan një mesazh në Twitter se Justin Bourque, i cili e kreu masakrën i veshur si Rambo, u arrestua pak pas mesnatës.
Lajmi për prangosjen e tij erdhi pasi një gjueti e mirëfilltë njeriu u zhvillua për të dytën natë rresht. Shkollat dhe zyrat shtetërore qëndruan të mbyllura dhe banorëve iu tha të qëndronin në shtëpitë e tyre gjatë operacionit.
Ndërsa të premten policia njoftoi se banorët e Monktonit mund të lëvizin lirshëm nëpër qytet. Një foto amatore që tregonte Justin Bourque që merrej nën kontroll nga policia ka qarkulluar në rrjetet sociale.
Ndërsa një banore lokale, e identifikuar si Michelle Thibodeau postoi në Twitter lajmin se kishte parë arrestimin. “Ai ishte mbrapa shtëpisë time. E pash me sytë e mi kur e arrestuan”, tha ajo.
“Forcat speciale erdhën në shtëpinë time dhe zbarkuan nga mbrapa duke bërtitur, duke i bërë thirrje atij që të dorëzohej dhe ai ashtu bëri. E pash të gjithë skenën”, tregoi banorja.
Kryetari i bashkisë së Monktonit, George Leblanc bëri këtë koment për televizionin lokal CBC: “Nga njëra anë ne jemi shumë të gëzuar që ky person u arrestua dhe që kjo situatë mbaroi.
Por në të njëjtën kohë ndihemi të trishtuar për humbjet që familjet e komunitetit tonë pësuan”. Ndër të tjera televizioni CBC tregoi forcat policore vendase të gëzuara, teksa qeshnin dhe përqafonin njëri-tjetrin pas arrestimit.
Top Channel