Gjermania goleadë në 10 minuta

06/06/2014 00:00

Miroslav Klose golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te kombëtarja e Gjermanisë. Sulmuesi i Lazio-s ka shënuar një gol në fitoren 6-1 të kombëtares gjermane ndaj Armenisë, duke shkuar në total në kuotën e 69 golave, një më shumë se rekordmeni i deritanishëm Gerd Muller.

Megjithatë kjo fitore e thellë e ekipit gjerman pati edhe një lajm të keq për trajnerin Joachim Low, pasi Marco Reus la fushën e lojës pas një dëmtimi , shkalla e të cilit ende nuk dihet.

Pjesa e parë e kësaj miqësoreje u mbyll me rrjeta të paprekura, por e dyta ishte krejtësisht e kundërta duke dhuruar një goleadë.

I pari që zhbllokoi rezultatin ishte Schurrle në minutën e 52-t. Më pas në 13 minuta lojë do të shënoheshin plot 5 gola. Në fillim armenët, me më të mirin e tyre Henrikh Mkhitaryan, me 11- metërsh do të barazonin shifrat në të 69-ën, por Podolski, Howede, Klose dhe Gotze do ta çonin rezultatin në 5-1. Në minutat e fundit ishte sërish Gotze që vulosi rezultatin në 6-1.

Edhe vendi pritës i këtij Kampionati Botëror që do të nis pas vetëm 6 ditësh, Brazil luajti në miqësore ndaj kombëtares Serbe, duke arritur të fitojë me rezultatin 1-0, me gol të Fred.     

Top Channel