BQE, normë negative interesi

06/06/2014 00:00

Përmes një lëvizjeje të papreçedentë në historinë e financave botërore, Banka Qëndrore Europiane vendosi t’i zbresë normat e interesit për euron në territor negativ.

Lëvizja ka për qëllim të luftojë rrezikun e deflacionit, çka mund ta rikthejë sërish ekonominë europiane në krizë. Përballë kësaj situate, pas ditësh shtyrjeje dhe hezitimi, BQE vendosi të ndërhyjë fort, me një paketë radikale masash.

Së pari, norma bazë e interesit për kreditë u ul nga 0.25 në 0.15 për qind, duke cekur një minimum të ri historik, ndërsa ajo e renumërimit u ul nga zero në -0.1 për qind.

Norma e renumërimit është interesi që Banka Qëndrore Europiane u paguan bankave private për depozitat që ato vendosin pranë saj.

Ulja e dy normave ka për qëllim që nga njëra anë të zhvlerësojë euron, forcimi i së cilës është një nga shkaqet kryesore të rënies së çmimeve dhe nga ana tjetër të detyrojë bankat private që të mos mbajnë më likuiditet të lirë në bankën qëndrore, por t’i investojnë në ekonomi.

Por, veç ndërhyrjes tek dy normat, autoriteti qëndror monetar në eurozonë miratoi edhe një paketë prej 400 miliardë eurosh, e cila do u jepet bankave private me interesa minimale, për të kredituar biznesin e vogël, kryesisht në Europën jugore.

Ndryshe nga paketat e tjera të likudiditetit, të cilat janë përdorur për të blerë bonot e qeverive, kjo e radhës është një skemë e mirëfilltë kreditimi e targtuar për biznesin dhe ekonominë reale.

Përmes këtyre masave ekstreme, Banka Qendrore Europiane shpreson t’i japë një puls të ri ekonomisë së eurozonës, e cila po rikthehet në makthin tashmë disavjeçar të krizës.

Shifrat e fundit konfirmojnë se rigjallërimi i ekonomisë europiane po venitet, duke shtuar antkhin e rikthimit të saj në reçesion. Në tremujorin e parë rritja ekonomike e eurozonës ishte vetëm 0.2 për qind dhe do të kishte qenë negative nëse ekonomia gjermane nuk do të rritej me 0.8 për qind.

Top Channel