Top Story, raporti i Komisionit “të drogës”

05/06/2014 00:00

Të shtunën që kaloi dhe në mungesë të opozitës Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur për të zbardhur akuzat e opozitës për përfshirje të Forcave të Armatosura në trafikun e lëndëve narkotike doli me një raport përfundimtar.

Raporti konfirmonte akuzat e opozitës, por jo në periudhën që opozita pretendonte. Komisioni arriti në disa përfundime duke dashur që ta mbyllë këtë çështje, por në një përpjekje të tillë, mos ndoshta hapi “kutinë e Pandorës”?

Për këtë dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tjera, në panelin e Top Story me gazetarin Sokol Balla këtë javë ishte e ftuar kryetarja e Komisionit Hetimor për këtë çështje, Ermonela Felaj dhe analistët Robert Rakipllari, Lutfi Dervishi dhe Arjan Vasjari.

Ai ishte përfundimi një kundërpërgjigjje apo një hetim real i maxhorancës në Komisionin që opozita e kishte braktisur?

“Përfundimet nuk i bëmë apriori, por mbi bazën e një analize të hollësishme të dokumenteve të ardhura nga institucionet të ndryshme. I gjithë informacioni është i krijuar në kohë të ndryshme, nga institucione të ndryshme, në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri dhe nga Kuvendi”, deklaroi deputetja e PS, Ermonela Felaj.

Felaj tha se objekti i hetimit të Komisionit ka qenë zbardhja e rrethanave lidhur me akuzat e bëra publike për përfshirjen e strukturave ushtarake në aktivitetet të paligjshme, sic është edhe trafiku i drogës.

“Ky Komision mori përsipër zbardhjen e shkallës së vërtetësisë së akuzave u bënë publike në një seancë plenare”, vijoi ajo duke sqaruar se deklaratat e mazhorancës për përjashtimin e FA nga trafiku i referoheshin periudhës së qeverisjes së saj.

Gazetari Robert Rakipllari kërkoi të dijë “përse-në” e deklaratës së Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli pas akuzave të opozitës, “për zero informacion për përfshirje të ushtrisë në trafikun e lëndëve narkotike”. Zonja Felaj u përgjigj se është thënë “zero fakte”.

“Komisioni Hetimor e nisi punën nga një shkresë e klasifikuar sekrete dhe e bërë publike. Shkresa është e 24 marsit të vitit 2014 e Shërbimit Informativ Shtetëror me lëndën ‘dyshime serioze për përfshirjen e strukturave ushtarake në trafikun e drogës’. Kjo shkresë i drejtohet Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Felaj.

Duke iu referuar komunikimit mes insitucioneve pas shkresës së shërbimit sekret, kryetarja e komisionit hetimor, Ermonela Felaj citoi shkresa të muajit prill nga policia dhe nga ushtria, që hedhin poshtë si të pabazuara informacionet e shërbimit sekret dhe akuzat e Partisë Demokratike për një avion sportiv të ulur në Gjadër më 19 mars të këtij viti.

“Është këqyrur pista e aerodromit gjatë gjithë gjatësisë së saj më 19 mars dhe është parë se në të nuk kishte gjurmë të fërkimit të rrotave në pistë, gjë që ndodh gjatë uljes së avionëve. Por jo vetëm kaq. Përvec deklaratave të personelit të cilët mohuna të ishte ulur avion atë ditë në pistë, policia e Lezhës ka bërë verifikime dhe përtej asaj cfarë përfshinte pista, dhe në fund të aerodromit kanë gjetur se ndodhej hangari i dikujt dhe brenda tij një avion sportiv, por që kishte zënë pluhur dhe pronari paguan një qira për ruajtjen e tij aty. Ndërkohë policia, SHISH, drejtori e inteligjencës së mbrojtjes kanë marrë kontakte me banorë të zonës dhe kanë arritur në këtë përfundim; dëshmitë janë kontradiktore dhe në shumicën e tyre janë të prejardhura. Pra nuk e kanë parë, por riprodhojnë, ose prodhojnë ngjarje të thëna nga të tjerët. Janë thënie të pakonfirmuara, të pavërtetuara dhe këtë e ka thënë vetë Shërbimi Informativ Shtetëror”, deklaroi Felaj.

Deputetja socialiste deklaroi se për trafikun e lëndëve narkotike në Gjadër kishte një hetim të nisur nga Policia Ushtarake që më datë 17 tetor 2013.

“Më 17 tetor është ndryshuar struktura e Ministrisë së Mbrojtjes dhe policia ushtarake ka administruar dëshminë e dëshmitarit me inicialet S.Gj, që deri në fillim të 2013 ka qenë pjesë e personelit që administronte pistën”, u shpreh ajo.

Për analistin Arjan Vasjari, komisionet hetimore parlamentare jan zhvlerësuar totalisht dhe përgjegjësia për këtë i bie klasës politike. Këtij zhvlerësimi, sipas Vasjarit, nuk i shpëtoi as këtij komisioni të drejtuar nga Ermonela Felaj.

“Nga raporti, a ka materiale që një prokurori minimalisht ta marrë në konsideratë për t’iu futur një hetimi?”, ishte pyetja e Vasjarit drejtuer deputetes socialiste.

“Më vjen keq që ju keni këtë vlerësim për punën e komisionit, por vetë dëshmia është një provë dhe ne na takon që ta mbrojmë atë person që deri më tani është bërë objekt presioni për ato që ka parë në Gjadër”, ishte përgjigjja e zonjës Felaj.

“Ne në materialin tonë jemi kujdesur që të mos i mbivendosemi prokurorisë dhe gjykatës. Cdo të thotë kjo? Ne nuk kemi shkuar deri në individualizimin e përgjegjësive konkrete, por ato përgjegjësi që vlejnë për të sqaruar edhe opinionin publik”, vijoi Velaj.

Për Rakipllarin komisionet parlamentare kanë patur një lloj vlere, sidomos për publikun. “Kanë bërë një transparencë mbi mbledhjen e dëshmive, mbi dëshmitë publike që janë dhënë në komisione”, tha ai.

Felaj këmbënguli se nuk ka asnjë fakt që të vërtetojë një lidhje mes akuzave për përfshirje të Forcave të Armatosura në trafik të lëndëve narkotike dhe rastit të avionit të Divjakës.

“Prokuroria po i heton të ndara dy cështje. Ka dy procedime penale prokuroria për këto dy cështje. Për aq sa kemi deri më tani, nuk ka asnjë provë që të lidhe dhe t’i bëjë bashkë këto dy ngjarje”, tha Felaj.

Në raport përmendet “pako të mbështjella me natriban”. Por sa siguri ka komisioni se këto pako kanë qenë me drogë?

Kësaj pyetjeje kryetarja e këtij komisioni iu përgjigj: “Ne jemi munduar të ruajmë terminologjinë juridike dhe të tilla indicie konsiderohen si dyshime të arsyeshme dhe serioze. Natyrisht prova konsiderohen, në momentin kur të dalin para gjykatës. Nuk do të kishte asnjë arsyeje që personali i ruajtjes në Gjadër të fshinte këto ngjarje, mos të evidentonte në asnjë rresht ngjarjet. Na është pohuar në mënyrë zyrtare nga shërbimet e inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes. Ata kanë parë librin e komandantit të rojes, ku në dy muaj rresht nuk është pasqyruar asgjë në atë libër në 2012 dhe në fillim të 2013. Për ne si komision hetimor provohet plotësisht që në 2012 dhe në fillim të 2013 provohet që në Gjadër ka patur trafik droge”.

Top Channel