Doni të europianizoheni? Filloni të vendosni rripin!

05/06/2014 00:00

Andrea Stefani – “Ne jemi europianë sa janë gjermanët, danezët” – ka deklaruar Kryeministri Rama në pritje mes një “po”-je ose një “jo”- je nga Këshilli i Bashkimit Europian.

Dhe pavarësisht se ekspozimi i shqiptarëve si europianë mund të jetë qëllim i mirë (për shembull, për të ndihmuar kapërcimin e skepticizmit të ndonjë anëtari të Këshillit), ai nuk mund t’i shpëtojë qortimit. Sepse është më e vërtetë të thuhet, edhe pse më e hidhur, që shqiptarët dhe Shqipëria kanë ende shumë gjëra për të ndrequr në veten e tyre për t’u bërë europianë. Por kjo nuk do të thotë aspak se nuk mund të europianizohen. Prandaj Kryeministri Rama e kish më mirë, pra ishte më i vërtetë apo më realist, kur pak kohë më parë deklaronte se Europa është një destinacion brenda nesh. Dhe i tillë do të mbetet edhe për jo pak kohë. Një destinacion që për t’u arritur, kërkon shumë përpjekje, shumë reflektim e ndryshim brenda nesh si njerëz dhe shtet. Të thuash, në gjendjen e sotme të punëve, se ne shqiptarët jemi europianë, nuk është krim. Por është, sikundër do të thoshte Jozef Fushe në një tjetër rast, ndoshta më keq. Është një gabim! Dhe në politikë gabimet kushtojnë shumë. Sepse të thuash jemi europianë pa qenë të tillë, do të thotë të mos kuptosh diferencat mes nesh dhe Europës dhe rrjedhimisht, të mos jesh i ndërgjegjshëm për ndryshimin pra, për nevojën e europianizimit.
 
***
Ne vazhdojmë të mos jemi europianë në tre rrafshe: Si persona dhe si masë, si elita politike dhe si institucione. Ndonëse mund analizohen veçmas, këto agregate ndikojnë reciprokisht njëri-tjetrin. Prandaj, shumë përmbledhtazi, do t’i trajtojmë në këtë lidhje:

Me kalimin nga komunizmi në një tranzicion sa kaotik aq edhe traumatik, në një rrethanë pa institucione mbrojtëse të lirive dhe të drejtave, njeriu shqiptar nisi të ndihet në shumicë i braktisur, i pasigurt, i vetmuar. Dhe u vu në kërkim të strehës mbrojtëse. Dhe atë nuk e gjeti, si për shembull e gjen europiani, te gjykata e pavarur, por tek ata që qëndrojnë e komandojnë gjykatat, tek partitë dhe pushtetet politike. Ndonjëherë edhe te Mafia që, sikundër ka përkufizuar saktë Xhorxh Soros, manifestohet edhe si privatizim i sigurisë publike. Shkurt, komunizmi ra por qeveria, apo partia politike, nuk humbi monopolin e saj mbi drejtësinë. E për pasojë edhe mbi jetën e qytetarëve. Por si është bërë e mundur Europa ku duhet të hyjmë? Në radhë të parë duke ia marrë monopolin e drejtësisë pushtetarëve. Me anë të asaj që sot quhet ndarje pushtetesh. Një proces që ka nisur shumë shekuj më parë me Magna Carta. Dhe ky ka qenë revolucioni i parë institucional që krijoi atë rrethanë sociale pa të cilën do qe e pamundur të lindte europiani, njeriu i lirë.
 
***
E si qenka e mundur të krijohet njeriu i lirë, europiani, në Shqipëri kur dihet që mungon drejtësia e pavarur? Si mund të ndodhë mrekullia e europianizimit pa pasur drejtësi të pavarur? Ne jemi ende ndryshe nga gjermanët apo danezët, jo për ndonjë mangësi gjenetike por edhe sepse nuk kemi krijuar një pushtet të pavarur drejtësie. Madje mund të thuhet se mungesa e drejtësisë së pavarur e shoqëruar pashmangshëm me vartësinë e njerëzve nga partitë politike, është rrënja malinje që ushqen dhe shumon falangat e fanatikëve që mbështesin, kohë pas kohe, liderë autoritarë dhe antieuropianë duke i duartrokitur dhe duke idhujtarizuar si “superdemokratë”. Mungesa e drejtësisë dhe kaosi që pason atë, është burim edhe i lindjes te njerëzit i nevojës urgjente për shpëtim me anë të një “dore të fortë” që do të vendos rregull, një nevojë që i bën të kthejnë sytë edhe nga e kaluara diktatoriale komuniste ku nuk ishte liri, por kishte rregull dhe barazi në varfëri. Një nostalgji që manifestohet edhe si retushim i Enver Hoxhës, si një burrë shteti që jo të gjitha gjërat i paska bërë keq. Harrohet se ka bërë krimin më të rëndë, ka vrarë shansin e lirisë!
 
***
Po si mund ta kuptojnë këtë krim, ata që nuk e kanë shijuar asnjëherë se ç’është liria? Se të dalë nga diktatura jo pak shqiptarë e mendojnë ende lirinë vetëm të mos jesh në qeli, në burg. Apo të flasësh e të shkruash edhe pse, pa drejtësinë që e ndëshkon, denoncimi i së keqes, krimeve dhe padrejtësive me fjalë dhe shkrime, shndërrohet në garniturë “lirie” për sundimin duke e maskuar atë. Shumë shqiptarë nuk e mendojnë lirinë si një gjendje ku përputhet vullneti i njeriut me veprimin e tij, ku njeriu vepron i padetyruar përveçse nga interesa të arsyetuara prej atij vetë, ku nuk i dhunohen dot të drejtat e tij të jetës, pronës, punës nga asnjë qeveri por përkundrazi, qeveritë vihen në shërbim të këtyre të drejtave. Një gjendje ku arbitrariteti i qeverisë është i kufizuar nga liritë dhe të drejtat e njeriut.
 
***
Vartësia nga politika nga qeveria e radhës bën që shqiptarët, edhe si masë, të jenë të përgjumur, të mefshtë. Ata, përjashtuar një pakicë, reagojnë, protestojnë apo duartrokasin vetëm kur i jep urdhër zoti i tyre politik, lideri që i punëson apo i pronëson, por rrallë vetëveprojnë si qytetarë të lirë me një axhendë të tyren. Se nuk janë ende të lirë. Në masat e shqiptarëve nuk ekziston akoma shpirti i lirisë. “Populli liridashës” ishte dhe është një përrallë që e përhapin ata që e kanë shtypur. E si mund të jenë europianë?! Në Shqipëri nuk është krijuar ende ai që në Europë quhet “rrethi virtuoz i lirisë” ku masat ushtrojnë presion mbi elitat politike dhe qeverisëse duke ju përçuar vullnetin e tyre. Në Shqipëri, njerëzit vazhdojnë të qahen kundër politikës si ndaj një force superiore që i përfill vetëm për t’i mashtruar në prag zgjedhjesh kur duhet ta detyrojnë politikën t’i shërbejë. Kështu të paktën ndodh në Europë. Në Shqipëri, akoma jo. E si qenkemi europianë?!
 
***
Të lënë jashtë presionit të masave dhe ndëshkimeve nga drejtësia, elitat politike i kanë shtuar etjes së tyre për pushtet pa kufi edhe korruptimin që sot shikon te ky pushtet pa kufi e fund, strehën e vet. Tashmë ata i shtyn në luftën për pushtet jo vetëm gjakimi autokratik por edhe nevoja për të mbrojtur përfitimet, jo thjesht të paligjshme, por të padrejta. Një mik në Facebook postoi një sentencë të Bodlerit sipas të cilit Zoti është i vetmi “që mund të mbretërojë pa ekzistuar”. Mjerisht politika shqiptare pjell pa fund Zotër “që nuk ekzistojnë dot pa mbretëruar”. Në Europë elitat nuk janë kështu. Pavarësisht dallimeve për taksat apo për politikën e jashtme, bashkohen në disa vlera dhe qëllime. Bashkohen në kryeqëllimin e lirisë së njeriut!
 
***
Që të bëhemi europianë, të europianizohemi është rrugë e gjatë, e ndërlikuar, e vështirë. Është riorientim qytetërimor. Statusin e kandidatit do ta marrim jo se jemi si gjermanët apo danezët. Jo se jemi europianë. Do të jetë një nxitje, një stimul nga Europa për të realizuar aspiratën që kemi shpallur 23 vjet më parë: Shqipërinë si gjithë Europa! Europa ka detyrim t’ia japë statusin Shqipërisë edhe pse, për hir të së vërtetës, jo përherë i ka bërë mirë detyrat ndaj Shqipërisë. Edhe ndaj themelimit të drejtësisë që sot e kërkon me aq ngulm. Drejtësia duhet bërë se pa atë nuk mund të ketë në Shqipëri as Europë dhe as europianë. Por ndërkaq ka një mori punësh edhe për çdo shtetas sado të thjeshtë. Ka ca gjëra që nuk duan shumë filozofi. Pak ditë më parë pashë, një grup fëmijësh që të veshur me jelekë fosforeshentë të policisë rrugore, qëndronin bri semaforëve dhe u thërrisnin drejtuesve të veturave që ndaleshin apo kalonin para tyre: Rripin, rripin! Në BE të gjithë e vendosin rripin sigurimit. Prandaj doni të europianizoheni? Filloni vendosni rripin!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA