Nga Monika Shoshori Stafa – Zgjedhjet europiane kulmuan një nga të dielat e majit, cilësuar nga agjencitë e huaja si një “Super Sunday” me një mesazh ankthshëm jo të papritur. Pjesa e mbetur e 28 vendeve të BE-së, iu drejtuan kutive të votimit, duke konfirmuar votën e tyre për një Europë më egocentriste me gjithë një rritje në mbështetje të ekstremit të majtë dhe të djathtë.
Gjermania, Franca, Spanja, Italia dhe Polonia janë vendet kryesore ndër shtetet anëtare të BE-së që votuan të dielën e shenjtë, duke përfaqësuar trungun e 388 milionë europianëve me të drejtë vote, të zgjedhin 751 deputetët që do të ulen në Parlamentin Europian. Por ajo që na surprizoi të gjithëve ishte Italia, kombi që dukej prej kohësh të ish më i pashëndetshmi ndër të tjerët, solli rezultatin më proeuropian në zgjedhjet e “Super Sunday”, ndërsa Franca risolli në jetë një parti, të djathtën nacionaliste, Frontin Kombëtar me një mesazh populist antieuropian, duke mbledhur një fitore të jashtëzakonshme.
Lideri i saj, Le Penn, ka hapur zjarr në të dyja frontet politike, në të djathtë dhe në të majtë, në një fushatë për të detyruar zgjedhje të reja parlamentare në Francë. Duket qartë se skenari francez që po do të përgatitet, tregon për një dobësim të Francës brenda BE-së dhe për ndikimin në rritje të së majtës europiane dhe sidomos të Kryeministrit italian, Matteo Renzi, i cili dalloi së pari si një kryetar bashkie që i jepte pa droje biçikletës në qytetin e tij dhe përshëndeste shoferët e taksive mëngjeseve tek shkonte në zyrë.
Askush s’do ta duronte gjuhën e tij të re, në të përditshmen e të bërit politikë në Italinë e sëmurë. Është pikërisht dialektika e mendimit dhe e teorisë së tij të të bërit politikë, ajo që nuk i mungon Kryeministrit më të ri në historinë e Italisë që pas Luftës së Dytë Botërore, e për të cilën jo të gjithë e pëlqejnë.
Larg asaj që i përket tradicionales, Renzi që shpesh shihet të jetë i çliruar nga veshja me kravatat shumëngjyrëshe dhe me duart në xhepat e një stili pantallonash zving, i përket brezit të Erasmusit, që kurrsesi “Non ha l’eta” për të ndenjur ulur në karriget e Senatit italian. Duke premtuar të flakë tej sistemin e vjetër politik, ai u ngjit në pushtet pas një goditjeje të organizuar dhe të befasishme, të shpejtë dhe të pamëshirshme që u krijua brenda partisë së tij nga një grupim shumë tradicional. Kjo gëzoi vetëm disa nga mbështetësit e tij, por vetëm pak prej tyre. Që kur ai mori pushtetin, Renzi ka qenë më së shumti i preferuari i shtypit italian dhe të huaj.
Gjithkush do ta pëlqente atë në foton që publikoi “New York Times”, një fotomontazh, duke e shfaqur atë si djalin e famshëm të Caravaggio-s me një kanistër me fruta në gjoks. Metafora ishte e qartë; “një dimension i ri prosperiteti dhe energjie” po vinte drejt Italisë, tani në një tjetër Bell’Epoque. Ai kish zgjedhur të shkonte përtej Caravaggio-s, ta bënte djaloshin me fruta pranvere të fliste gjuhën e thjeshtë të popullit të tij, një model i shkëlqyer i një shteti fqinj, ku çdokush nga ata që e aspirojnë, do ta shihte si një figurë imagjinare të vendit të vet të lodhur mes “malesh” të larta komunikimi midis.
Rinia dhe dinamizmi që shpërfaqet dukshëm në manierat dhe fjalimet e tij, kanë qenë shenjat e para me të cilat ai bëri për vete publikun e të gjitha moshave, si rrallëherë në historinë e liderëve politikë. Pas një periudhe të gjatë, ku e majta po rrekej të gjente një alternativë të arsyeshme përballë “magjisë” fundosëse të Berluskonizmit, më në fund u gjet një politikan, i cili mund ta rivalizojë paraardhësin e tij, në të dyja dimensionet, entuziazmin dhe betejën mediatike. Një betejë e humbur palësh këndej Adriatikut, veç përhumbjes “krenare”, zyrave të Europës dhe tendave të njerëzve të dëshpëruar mes një agonie dilemash në mes, ku bulevardet kthehen një herë në tre vjet, në arena cirku, nga pala tjetër. Dhe gjithmonë atëherë kur Europa është midis.
Me qëllimin për ta mbajtur ende të gjallë portretin e tij prej dinamiku dhe efektivitetin e emrit të tij kundrejt kontratës që firmosi në sytë e popullit të tij, Renzi premtoi, edhe para se të fluturonte drejt Kryeministrisë, të bënte një reformë të madhe çdo muaj. Duke e thënë këtë si një kriter prove për besueshmërinë e tij, ai ishte njeriu i parë politik që u betua se do të qëndronte në atë zyrë vetëm nëse e kalonte këtë detyrë shtëpie dhe historike.
Matteo Renzi u bë kështu lideri i parë europian që, nëse nuk do i bënte mirë detyrat e veta në shtëpinë e tij, nuk do ta kalonte klasën, një standard i ri par excellence, një vlerë në kërkim sot e të cilën ai me sa duket po ia del. Ligji elektoral ishte objektivi i parë i tij. Vetëm pas marrjes së pushtetit, ndërmjetësoi një marrëveshje me Berluskonin për reformimin e këtij ligji, në mënyrë që të lehtësonte konsolidimin e një sistemi dypartiak. Por asgjë nuk do të ish e lehtë. Planet e Renzi-t u dëmtuan nga vështirësia e gjetjes së një shumice funksionale për të kaluar reformën në Parlament.
I ndjeshëm dhe i vetëdijshëm për nevojën t’i mbajë gjërat në lëvizje, Renzi vendosi të përurojë muajin e tij të tretë në detyrë, duke e zhvendosur vëmendjen nga reformat institucionale në ekonomi. “Kjo është gjuha në fakt që me italianët duhet të flasësh tani”, u dëgjua të thoshte në një intervistë televizive, 39-vjeçari i brezit të Erasmusit, që premtoi mbi të gjitha ta shkulë nga politika brezin e 50 dhe 60-vjeçarëve. Një projektligj i parë dhe shumë popullor: në thelb, një transferim të hollash më shumë në xhepat e italianëve, paga e të gjithëve është rritur me 80 euro në muaj.
Një tjetër sipërmarrje e tij është projekti i tij politik, zemra e saj, mënyra si performon politika sot, por natyrisht jo spektaklet e ditëve të hëna dhe të enjtet e vazhdueshme në shtetin fqinj, por ideologjia e “kryerjes së gjërave” deri në ndryshime thelbësore në të bërit politikë. Që do të thotë jo aq të kesh një vizion koherent apo një grup qëllimesh të caktuara, sesa të risjellësh në forcë procesin e evoluimit, revolucionarizimi i tij, d.m.th. parësore është procesi vetë, jo rezultati.
Po ti ndjekësh me vëmendje përpjekjet e tij dihatëse, për të ruajtur elektoratin politik, duket sikur ai ekziston, për aq kohë sa ai premton momentumin e tij të reformave. Por a është ky momentum në fakt, ai që e mban gjallë elektoratin e tij? Duket se në sfond djaloshi i Caravaggio-s, ka risjellë një pikturë shumë të ndryshme të panoramës politike italiane të Rilindjes së shekullit 21.
Si kudo, në modelin tradicional, jeta politike dominohet nga partitë politike, ekzistenca e të cilave është rrënjosur në një grup zonash zgjedhore sociale të identifikueshme dhe marrëveshjet mes palëve formale ose joformale, publike ose jo publike, bëjnë atë që quhet politikë pa dialektikë dhe të një modeli të vjetër. Në intervistën e tij dhënë pak ditë më parë, për Enrico Mentana, ku ai pyetet mbi në mënyrë jo pak të qëllimtë se çfarë kish me brezin e vjetër, Renzi ritheksoi se termat I Ri, I Vjetër, nuk duhet të kuptohen fjalë për fjalë.
Përmes rinisë së tij ai e sheh elektoratin, si vendin ku gjaku i ri i tij, është një gjendje e shpirtit më shumë sesa e lidhur me datën e lindjes së tij. “Non ho l’eta”, është motivi i këngës së njohur të Gigliola Cinquetti në fillim të viteve ’60, që fiorentinasi, i cilësuar më shumë dhelpër sesa luan në betejat e tij politike, e bëri lajtmotivin e një sistemi të ri politik ngritur gërmadhash. Të jesh i ri shumë, por dhe jo aq i rritur për të qenë kryeministër, Renzi i cilësuar nga analistët si djaloshi që priti pas dere për të marrë biçikletën e tij të vjedhur, është njeriu, bartës i evoluimit të një procesi të ri centrifugimi në politik.
Për të qenë të sigurt, rezultatet e zgjedhjeve europiane nuk ishin të papritura. Europa kish kohë që shfaqte një bezdisje të athët nga zgjerimi mes popujsh. Ajo që ishte befasuese, ishte kufiri i suksesit të liderit socialist Matteo Renzi, i cili tani ka një shans të kthejë mbrapsht, të paktën pjesërisht, ankthin e politikave të ngurta ekonomike dhe financiare të diktuara nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Koha ka ardhur për të ndërmarrë iniciativa në ekonominë politike në interes të të gjitha vendeve anëtare në Bashkimin Europian, dhe jo vetëm të Gjermanisë. Mes betejave të egra në Europë, mes popujsh ka ardhur koha për një dakordësi kursi solidariteti europian, që duhet të jetë më i fortë se në të kaluarën. Koha për një politikë të re të energjisë natyrore adresuar jo vetëm gazit dhe naftës, kromit dhe bakrit, por dhe sistemit të ndërtimit të hekurudhave dhe lidhjeve rrugore, për t’u shërbyer më mirë arterieve që zemrën e Europës e mban gjallë.
Dhe, më e rëndësishmja, është koha më shumë se kurrë në investimet për kërkimin dhe zhvillimin ku mendja dhe shpirti i dialektikës do të sjellë të tjera dihatje. Koha e aleancave të reja dhe era e një “koalicioni të madh”, pritet të jetë e domosdoshme. Ajo që mbetet në fund fare padyshim është se nga kjo çmendinë e fundme krejt populiste e “Super Sunday”, në Europë një brez i ri i liderëve, si Renzi, mund të arrijë majën e pushtetit duke bindur europianët e rinj e të pakënaqur se është më mirë të ndërtosh sesa të shkatërrosh. I Riu Renzi, me një model “të vjedhur” slogani nga Obama, atë Hope, në fund jep shembullin se kjo aleancë ndërbotërore duhet të ndahet si atëherë, në fund të Luftës së Dytë Botërore, bashkërisht dhe jo mëvetësisht, mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara.
Top Channel