Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë të dhënat e bëra publike nga kryetarja e Komisionit Hetimor, Ermonela Felaj, për përdorimin e insfrastrukturës ushtarake për trafikun e drogës, e cila një ditë më parë pohoi se trafiku i drogës me avionë është bërë gjatë vitit 2012 dhe 2013 nga baza të ndryshme ushtarake, veçanërisht në aerodromin e Gjadrit dhe me dijeninë edhe të ish-drejtuesve të Forcave të Armatosura.

“Kjo është një çështje që i takon Prokurorisë. Unë e kam thënë se që nga momenti që qeveria Rama ka marrë drejtimin e vendit, jemi totalisht të fokusuar drejt pastrimit të institucioneve të paprekshme, siç janë Forcat e Armatosura”, deklaroi Kodheli.

Ministrja e Mbrojtjes u shpreh se gjatë takimit me drejtorin për Europën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Xhonatan Mur, mori mbështetjen e DASH-it për reformat e ndërmarra në strukturën e forcave ushtarake shqiptare.

“DASH-i na ka dhënë mbështetje të madhe në ndryshimet ligjore që u mundova t’ia shpjegoja. Folëm edhe për shqetësimet që vijnë nga sjellja e opozitës në këtë periudhë, ku nga ana e drejtorit Mur u theksua fakti se procesi i marrjes së statusit kandidat është një nga proceset më të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë”, shtoi Mimi Kodheli.

Top Channel